Euro rikuperoi disi terren ndaj dollarit amerikan pas humbjeve të ditës së djeshme në mesditë. Të martën dollari amerikan arriti të vlerësohej ndaj monedhave kryesore botërore, menjëherë pas publikimit të shifrave të bilancit tregtar të Shteteve të Bashkuara për muajin maj shifra që qenë më pozitive se parashikimet e tregjeve financiare.
Deficiti tregtar i Shteteve të Bashkuara për muajin maj shënon shifrën e 46 miliardë dollarësh, në një kohë që analistët ndërkombëtarë kishin parashikuar një shifër prej 48 miliardë dollarësh. Deficiti i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara konsiderohet si një ndër faktorët kryesorë për rënien e dollarit amerikan gjatë dy viteve të fundit .
Sipas informacioneve të Bankës Italo-Shqiptare, në tregun tonë të brendshëm valutor leku ka humbur sërish pikë ndaj dy monedhave kryesore, euros dhe dollarit amerikan. /tvklan.al