Federata Angleze e Futbollit do të përpiqet që ta mbajë Gareth Southgate përtej kontratës së tij aktuale edhe nëse Anglia mposhtet nga Spanja në finalen e Euro 2024 të dielën.
Marrëveshja me teknikun përfundon në Dhjetor dhe bisedimet për të ardhmen e tij kanë ngrirë derisa të përfundojë eventi.
Por trajneri ka mbështetjen e figurave kyçe në institucionin e futbollit, ku mbizotëron vullneti që ai të jetë në stol edhe në Kupën e Botës 2026, raporton gazeta “The Guardian”.
Mbetet për t’u parë nëse tekniku do të dëshirojë të qëndrojë.
Ai tha para turneut se do të duhej të largohej nëse “tre luanët” nuk kthehen si kampionë. Ai ka marrë kritika të forta nga fansat dhe mediat.
Por ecuria e ekipit nën drejtimin e 53-vjeçarit është mjaft e mirë. Kombëtarja është për herë të dytë radhazi në finale europiani.
Southgate do të ketë ndeshjen e 101 në stolin e Anglisë më 14 Korrik. Ai mori detyrën si trajner i kombëtares në vitin 2016.
Klan News