Evakuimi një ditë më parë i një fëmije të mitur në gjendje të vështirë shëndetësore ka nxitur edhe disa komente kritike në rrjetet sociale që kanë tërhequr vëmendjen e kryeministrit Rama. Në një video online kreu i qeverisë thotë se kritikat për sistemi shëndetësor shqiptar vijnë për shkak të keqinformimit.

“Ku i keni parë ju këta fëmijët që ne i lënkemi të vdesin? Kjo natyrisht është një pyetje retorike, ashtu sikundër ju siguroj sinqerisht, nuk ju fajësoj fare se inati po, llumi i foltoreve, kanaleve, portaleve ku ju zhyteni po, dhe normal që ju duket sikur vdesin njerëzit edhe për një aspirinë”.


Rama jep edhe shifra që sipas tij tregojnë punën që bëhet në spitalet shqiptare.

 “Çdo vit në Shqipëri kurohen në pavijonet e pediatrive tona jo pak por 46 mijë fëmijë”. 15 mijë prej tyre, sipas tij, marrin shërbimin në QSUT, ku dhe operohen mesatarisht 2400 fëmijë me sukses të plotë. Çdo vit, ne çojmë jashtë vendit mesatarisht 25 fëmijë, pra shumë më tepër se të gjitha shoqatat të mbledhura bashkë të cilat i falënderoj përzemërsisht për angazhimin e tyre të pamohueshëm”.

Kreu i qeverisë thotë se i mituri u soll në vendin tonë me kërkesë të partnerëve dhe ky është një vlerësim për sistemin tonë shëndetësor.

“Ajo familja që erdhi nga Gaza, erdhi me kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë dhe si rezultat i vlerësimit për shërbimin tonë pediatrik. Disa familje, ndër të cilat njëra erdhi në Shqipëri, u çuan në disa vende të Europës ku shërbimi pediatrik vlerësohet.”

Rama u ndal edhe tek programet e reja të kujdesit ndaj fëmijëve me vaksinimin falas çdo vit dhe me shërbimin dentar që po rikthehet në shkolla pas shumë vitesh.

Tv Klan