Një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza është evakuar në Shqipëri për të marrë kujdes mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. Lajmin e ka bërë të ditur “Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri”.

Përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, OBSH shkruan se babai, vëllai dhe motra e fëmijës së shtruar në spitalin “Nënë Tereza” janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës.

“Mbrëmjen e kaluar u krye evakuimi mjekësor për ofrimin e kujdesit kritik në Shqipëri për një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza. Fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës.

Një falenderim i madh për Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e kësaj përpjekjeje humanitare. Mirënjohje Albana Koçiut, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Skënder Bratajt, kreu i Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, dhe zyrtarëve nga Ministria e Brendshme, për kontributet e tyre thelbësore. OBSH së bashku me partnerët mbështet koordinimin dhe fuqizimin e një mekanizmi standard, transparent të evakuimeve mjekësore”, thuhet në njoftim.

Më tej, OBSH thotë se angazhimi i Shqipërisë për të mbështetur njerëzit në nevojë është një shembull i rëndësishëm solidariteti teksa shton se meqë shumë pacientë në Gaza kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare./tvklan.al