Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Shtohet ankthi në familjen Cankja në Elbasan. Me gjithë kërkimet e të afërmve dhe policisë ende nuk ka asnjë shenjë për fatin e 9-vjeçarit Artur Cankja. Sot kërkimet janë përqendruar në zonat kufitare dhe në të gjitha plazhet e vendit. Policia thotë, se deri tani nuk ka të dhëna që djali të jetë zhdukur, si dhe ka hedhur poshtë zërat se djalit mund t’i kish ndodhur ndonjë fatkeqësi.

Kryekomisar Arben Joca  ka angazhuar një ekip të specializuar që mban lidhje me familjen, por pas tre ditë kërkimesh del një detaj interesant. Vëllai i madh i Arturit, Blerimi 12 vjeç thotë, se për herë të fundit Arturi është parë me një burrë me këmishë të bardhë. Ky është i vetmi detaj që dihet për momentin për 9-vjeçarin.

Në orët e mesditës familjen e 9-vjeçarit e vizituan përfaqësues të ndryshëm të pushtetit lokal, të cilët i kanë premtuar familjarëve, se shteti do të bëjë të pamundurën për të gjetur djalin e tyre./tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani