Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Familja e Gazmend Tahirllarit, ka depozituar sërish pranë Avokatit të Popullit një ankesë, kësaj radhe në lidhje me dënimet gjyqësore të dhëna për ish-policët përgjegjës për vdekjen e tij.

Gazmend Tahirllari mbeti pa jetë, për shkak të dhunës të ushtruar nga uniformat blu, në momentet e shoqërimit, në datën 3 Janar 2003. Ndërkohë që mjekët e spitalit të Korçës, kishin shënuar në kartelën mjekësore të viktimës, se vdekja vinte si pasojë e sasisë së lartë të alkolit në gjak.

Për këtë babai dhe familja Tahirllari, u desh të drejtoheshin pranë Avokatit të Popullit dhe me ndërhyrjen e këtij të fundit, u bë zhvarrosja e viktimës dhe ekspertiza që vërtetoi, se vdekja vinte si pasojë e dhunës së ushtruar. Pas një procesi gjyqësor, Gjykata e Faktit të Korçës, vendosi dënimin me 20 vjet heqje lirie gjithsej, për pesë policët e dënuar.

Ndër ta me akuzën vrasje me dashje u dënua me 16 vjet heqje lirie, inspektori i krimeve Lorenc Balliu. Ndërsa katër efektivët e tjerë patën dënime të lehta, për moskallëzim krimi dhe veprime arbitrare ndaj viktimës. Familja Tahirllari ka vendosur pas kësaj, t’i drejtohet sërish Avokatit të Popullit, por me ankesën e formuluar kësaj radhe, gjykohen, se janë prokurorët e çështjes që kanë fshehur një pjesë të provave, duke ngarkuar pjesërisht me përgjegjësi, persona në bankën e të akuzuarit.

Avokati i Popullit ka premtuar për familjen e të ndjerit, se do të marrë në konsideratë ankimin e tyre dhe do të interesohet në mënyrë institucionale, për këtë çështje./tvklan.al