Lajme Arkiva 2003

Greva e urisë që gratë e kryeqytetit kanë nisur tashmë prej 10 ditësh në një nga ambientet pranë qendrës spitalore të Tiranës është mbështetur sot edhe nga familjarët e grevistëve. Pasi nuk kanë pasur asnjë sinjalizim pozitiv nga qeveria në lidhje me problemin e tyre, familjarët e grave tashmë në gjendje të rënduar shëndetësore kanë bllokuar rrugën kryesore në pjesën pranë Kinostudios.

Me pankarta nëpër duar dhe duke i bërë thirrje pushtetarëve që të interesohen për këtë problem protestuesit kanë shkaktuar një kaos të vërtetë në trafikun rrugor pasi protesta e tyre nuk ishte paralajmëruar.

Ndodhemi pikërisht këtu në rrugën e cila lidh Kinostudion me spitalin. Është pikërisht pra rruga që të çon në Kinostudio dhe janë pikërisht motrat dhe gratë të cilat mbështesin grevën e urisë së grave. Kanë bllokuar rrugën kryesore duk shkaktuar një trafik të pamasë makinash dhe ku policia nuk po di si të ndërhyjë.

Menjëherë kanë mbërritur në vend forcat e policisë së Tiranës të cilët i kanë shpërndarë protestuesit në mënyrë paqësore duke lejuar qarkullimin e makinave. Kjo ishte një tjetër nga përpjekjet e panumërta të këtyre qytetarëve për të tërhequr vëmendjen e qeverisë për të përfituar shtëpitë e humbura në firmat piramidale.

Protestuese: Kam humbur shtëpinë që në ‘96 dhe kam një plak 70 vjeçe rrimë në një bodrum.

Protestuese: Kemi 10 ditë, janë futur nënat tona, motrat tona për një kredi. Qeveria qëndron shumë indiferente.

Protestues: Jemi jashtëzakonisht të indinjuar nga pushtetarët të cilët janë shumë indiferentë ndaj nënave që po vdesin atje. I lutemi qeverisë qeverisë të marrë masa sa më parë. Të vijë një njeri kompetentë të na japi një fjalë të mirë të paktën

Protestuese: Kam 10 ditë sot a e parë mamin. Ç’do bëjë Fatos Nano për ne, se asnjë gjë nuk bën për ne.

Protestues: Nga ana e qeverisë po mbahet qëndrim indiferentë për zgjidhjen e problemit dhe prandaj morëm këtë masë të bllokojmë rrugën./tvklan.al