Paradiabeti është faza e parë e diabetit dhe konsiderohet si një shenjë paralajmëruese. Duke folur rreth kësaj sëmundje, shenjat dhe kujdesin që duhet të tregojmë në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan ishte e ftuar farmacistja Teuta Maçi.

Gjatë fjalës së saj ajo apeloi për një kujdes të shtuar që duhet treguar me ushqimin dhe stilin e jetesës, duke i cilësuar këto të dyja krah faktorit gjenetik si arsye që shtojnë riskun e paradiabetit e aq më keq diabetit. Në fazën e paradiabetit farmacistja renditi shenjat dhe shifrat, të cilat janë një alarm i kuq që tregojnë diagnostikim me diabet.

Teuta Maçi: Diabeti ose paradiabeti, në pjesën më të madhe të rasteve është thjesht faji jonë i një stili jetese pa lëvizje me një konsum të tepërt ushqimor. Në raste të rralla sigurisht që ka një kontribut gjenetik pasi ka dhe fëmijë të vegjël të cilët lindin apo diagnostikohen në vitet e para të jetës me diabet. Ai është diabeti i tipit të parë, ka një përqindje të lartë të faktorit gjenetik dhe të përcaktuar ndërkohë që pjesa më e madhe e njerëzve që vuajnë nga diabeti i tipit të dytë, shfaqin shenjat e paradiabetit dhe pastaj në një moment të caktuar akumulohen kaq shumë faktorë sa personi diagnostikohet me diabet.

Katerina Trungu: Të rendisim këto shenjat që t’i të kuptosh nëse je në fazën e paradiabetit .

Teuta Maçi: Te faza e paradiabetit sigurisht që shenja kryesore është vlera e sheqerit në gjak, për ta diagnostikuar në diabet që shfaqet përmes hemoglobinës së glukozuar. Kjo hemoglobinë e glukozuar duhet të jetë mbi një vlerë të caktuar zakonisht 6-6.5, por para se të shkojë në atë vlerë, kur hemoglobina e glukozuar shkon 5.7 e sipër deri në fazës kur mjeku iu diagnostikon me diabet atëherë jemi në fazën e paradiabetit. Kjo është një matje laboratorike që bëhet në gjak, por ndërkohë mund të bëhet dhe matja e thjeshtë në shtëpi dhe nëse shikojmë që ato vlera janë të më larta nga sa është e dëshirueshme atëherë kemi të bëjmë me shenjat e paradiabetit. Dhe cilat janë këto vlera, normalisht nëse një person zgjohet ka 8-10 orë pa ngrënë, optimalja do të ishte 12 orë pa ngrënë për një shëndet të mirë, vlera e diabetit në mëngjes duhet të jetë deri në 100, zakonisht 70-80 deri në 100. Në momentin që ajo vlerë e mëngjesit shkon nga 100 në 125 atëherë duhet të mendojmë se po na shfaqen shenjat e paradiabetit, nëse arrijnë vlerat 125 e sipër ose 135 e sipër duhet të bëjmë një kujdes shumë të madh sepse kemi hyrë në fazën ku pacienti diagnostikohet me diabet. Kjo është për paradiabetin esëll, për shenjat e sheqerit, ndërkohë kjo mund të matet dhe dy orë pas ngrënies dhe nëse vlerat janë nga 140 deri në 200 atëherë kemi të bëjmë me shenjat e para të paradiabetit. Kjo do të thotë që kemi shumë glukozë në trup që e kemi marrë nga ushqimi i tepërt dhe që nuk e kemi djegur, pra me fjalë të tjera kemi ngrënë shumë e kemi harxhuar pak.

Në rast të diagnostikimit me diabet të tipit një apo dhe të tipit dy farmacistja këshilloi që duhet të bëhet një kujdes i shtuar i konsumimit të ushqimeve, të ndiqet një dietë strikte e rekomanduar nga mjeku duke shtuar dhe më pas elemente të tjera siç mund të jetë aktiviteti fizik, gjumi apo shmangia e stresit./tvklan.al