Mbrëmjen e sotme në emisionin “Kampionët” në Tv Klan, është i ftuar sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja.

Menaxheri i futbollit, Sokol Haxhia e ka shprehur edhe më parë faktin që Broja duhej të ishte futur si titullar në të treja ndeshjet e Kombëtares në Euro 2024 dhe këtë gjë e tha edhe sonte në praninë e tij në studio. Haxhia u shpreh se është një fat i madh që kemi një lojtar si Broja në Kombëtare.

Ndër të tjera menaxheri i futbollit ka edhe një këshillë për Brojën sa i takon zgjedhjes së tij në të ardhmen.

Marina Vjollca: A e shohim Brojën pas atij dëmtimi në formën më të mirë të mundshme në këtë Kampionat?

Sokol Haxhia: Unë jam i atij mendimi që është një fat i madh që kemi një lojtar si Broja dhe siç e kam thënë unë do të doja që ai t’i niste të tre ndeshjet titullar sepse e ka treguar kualitetin e vet edhe te skuadra ku është, një nga më të fortat në botë. Nga një anë më vjen keq sepse këtij djali sikur ndaç trajneri Reja, dhe në një farë mënyre Sylvinho i kanë hëngër icik atë hakun sepse unë me gjithë respektin që mund të kem për Manajn dhe për Dakun, një futboll luhet në Premier League, një futboll luhet në Seria A turke dhe një futboll tjetër luhet në Rusi. Niveli i vështirësisë së punës që ka Broja përdit në kampionatin anglez është shumë e madhe.

Unë këshilla që dua t’i jap është që të vazhojë kështu. Meriton respektin më të madh për djalin që je, për edukatën që të kanë dhënë prindërit dhe për mënyrën se si je sjellë edhe në disa gosip këtu në Shqipëri duke abuzuar tek emri jot. Të kanë quajtur si një person kapriçoz. Ajo që unë i këshilloj është që për të ardhmen e vet është që të gjejë një klub që për atë të jetë ylli. Mund të mos gjesh një klub që të kesh dy tre yje para teje dhe po lexoj shpesh që je nën vëzhgimin e Milanit apo Juventusit. Këshilla që do të thoja është që midis Milanit dhe Juventusit zgjidh Juventusin sepse është klub që mund të rritesh.

/tvklan.al