Në mbldhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues Socialist më 27 Prill do të votohet për pranimin e Kryeministrit Ilir Meta në përbërjen e këtij forumi. Me tërheqjen nga posti i kryetarit të Forumit Rinor Eurosocialist, kryeministri Meta ka humbur vendin në KPD dhe në kryesinë socialiste. Votimi për Kryeministrin Ilir Meta pason votëbesimin për dy drejtuesit e lartë socialist Spartak Poçi dhe Namik Dokle.
Krahas votimit për Kryeministrin Meta, KPD do të miratojë listën e kandidatëve për deputet dhe platformën elektorale. Lista dhe platforma do të marrin miratimin përfundimtar në Kongresin e 5-të socialist në 6 Maj. Ndërkohë në datat 5 deri në 15 Prill konferencat e PS-së nëpër rrethe do të miratojnë 3 kandidatë për deputet në çdo zonë elektorale.
Në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në kundërshtim me statutin e PS-së kryetarët e kësaj partie në rrethe kanë vënë emrat e tyre në krye të listave të kandidatëve. Krahas rezultateve të konferencave të PS-së nëpër rrethe do të jetë kryesia e partisë e cila do të vendosë për emrat e kandidatëve në 25 zona elektorale dhe kandidatët e përbashkët me aleatët./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame