Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është takuar me Ambasadorin Amerikan në Tiranë, James Jeffrey, të cilët kanë diskutuar rreth situatës së fundit për zbardhjen e tragjedisë e rolin e opozitës e cila duhet të jetë sa më e organizuar e funksionale. Mediu shprehet se ngritja e Komisionit Hetimor nga socialistët nuk zbardh deri në fund të vërtetën pasi qeveria nuk mund të kontrollojë vetveten.
Fatmir Mediu: “Një komision nga socialistët është një demagogji e radhës për t’i shkuar deri në fund hetimit të kësaj çështjeje. Do të bënte të ndëshkoheshin ose të dilnin në pah disa skafistë, por asnjë nuk do t’i shkonte deri në fund lidhjeve të këtyre skafistëve me struktura të tjera të shtetit involvuara me këtë krim. Kështu që e shikoj normal që komision i drejtuar nga socialistët me mazhorancë socialiste, opozita do të jetë krejt e pavlefshme nuk ka pse të jetë pjesë e tij.”

Kryetari republikan e sheh të vlefshme lëvizjen e qytetarëve, e cila duhet të kryesohet nga opozita, por kjo nuk duhet të mbetet vetëm në thirrjet e Berishës për të mbledhur tryezën e të djathtëve,, por të ketë angazhime serioze për programe të qarta në mënyrë rrëzimin e qeverisë Nano.

Fatmir Mediu: “ Kërkesa e zotit Berisha, mendoj që këto nuk bëhen thjesht me thirrje. Opozita ka nevojë për një logjikë konkrete të organizmit dhe të funskionimit të saj duke konsideruar të gjithë elementët përbërës. Unë mendoj që opozita nuk është një ushtri, që vendoset në një rresht, në një komandë por, është një, siç e kam thënë dhe herë të tjera, një mozaik vlerash e identitetesh të cilët duhet të shfaqen dhe kjo, në radhë të parë, kërkon një strategji dhe një platformë të qartë.” /tvklan.al