Kryetari i Republikanëve, Fatmir Mediu, u takua me qytetarë e simpatizantë të partisë së tij në qytetin e Vlorës.
Në fjalën e tij Mediu analizoj sukseset e arritura nga koalicioni i djathtë gjatë mandatit të parë të qeverisjes dhe shtoi se në mandatin e dytë të kësaj mazhorance do të vazhdojë puna me reforma të suksesshme, me investime në infrastrukturë dhe se me këto ritme, pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria do të anëtarësohet së shpejti edhe në Bashkimin Evropian.
Fatmir Mediu: “I takon shqiptarëve, të cilët në vitin 2005 ditën për kë qeveri të votonin. I takon shqiptarëve, të cilët në vitin 2009 do të votojnë po në të njëjtën mënyrë për Shqipërinë në NATO dhe Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Gjithë kjo rrugë ka qenë një rrugë e një pune të përditshme. I kemi bërë të gjitha sepse i kemi në radhë të parë detyrime për vlonjatët dhe të gjithë shqiptarët. I kemi në radhë të parë detyrime për të realizuar standardet më të mira, për t’u ndjerë krenarë, por për të qenë dhe të zotët në familjen tonë, në jetën tonë të përditshme.”
E pranishme në këtë takim ishte dhe Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila vuri theksin tek kontributi i Partisë Republikane në zhvillimin dhe forcimin e demokracisë, si pjesë kryesore e politikës shqiptare.
Më tej zonja Godo foli edhe për reformat që po ndërmerren në sektorin që ajo drejton, atë të shëndetësisë, ku në fillim të muajit Maj rrogat e mjekëve do të rriten.
Në këtë takim Partia Republikane prezantoi dhe Saimir Haxhiun e Ardian Dinen si kandidatë të saj për deputetë në Vlorë./tvklan.al