Koka: PS: Bllokimi i dekreteve kërcënon reformën
Selia rozë nuk do të heqë dorë nga kërkesa që largoi një ditë më parë grupin e saj parlamentar nga seanca futja në rend të ditës për votim të dekreteve të presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Fatmir Xhafa, në një deklaratë për median, renditi akuza të forta ndaj legjislativit dhe ekzekutivit duke i ngarkuar ata me përgjegjësinë kryesore për këto vonesa.
Fatmir Xhafa: “Lidershipi politik i mazhorancës aktuale ka marrë peng gjyqësorin shqiptar në një ripërpjekje të re për të vendosur nën kontrollin e tij politik pushtetin gjyqësor. Kuvendi është institucion i ligjbërjes, ndaj dhe ka përgjegjësinë kryesore politike, morale dhe kushtetuese për zbatimin korrekt të ligjit”.
Futja urgjente e dekreteve në seancë është e vetmja zgjidhje për situatën, deklaroi Xhafa.
Fatmir Xhafa: “Ne shohim me shumë preukopim se kjo shumicë e lëvizshme blu po delegjitimon moralisht dhe politikisht veten, por duke ofruar gjithashtu një faturë të frikshme pagese në kurriz të demokracisë dhe vetë qytetarit të thjeshtë. Partia Socialiste as nuk shprehet për cilësinë e votës së saj, gjë që do ta bëjë në votimin parlamentar dhe as nuk bëhet palë e konfliktit absurd të krijuar ndërmjet lidershipit politik të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ me presidentin e republikës”.
Dekretet e presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë do të shqyrtohen në seancën e ditës së enjte të javës që vjen, një moment që e saktësoi një ditë më parë edhe kryetarja e kuvendit.
Grupi kuvendor socialist ndonëse braktisi seancën nuk ka marrë një vendim politik për mospjesëmarrje.
Kjo sepse ditën e hënë është në rend të ditës një çështje po aq autoritare për të majtët, votimi i imunitetit të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi