Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pa bërë një hapje zyrtare të fushatës për zgjedhjet e ardhshme vendore, kryetari i PS Fatos Nano, ka shfrytëzuar aktivin kombëtar të qeverisjes vendore, për të porositur socialistët, se ku duhet të përqendrohen muajt e ardhshëm para dhe gjatë fushatës. Zoti Nano dhe drejtues të tjerë të partisë, kanë renditur sukseset e deritanishme të bashkive dhe komunave që drejtohen nga socialistët, duke veçuar bashkinë e kryeqytetit, si model i qeverisjes, për të gjithë të zgjedhurit vendor.

Në këtë mënyrë, socialistët dhe kryetari Nano, tërthorazi kanë mbrojtur edhe punën e bërë nga kryebashkiaku Edi Rama, pa kaluar asnjë një muaj nga momenti kur ata vetë votuan ngritjen e komisionit të kërkuar nga opozita për hetimin e Ramës. Duke e cilësuar të suksesshëm edhe procesin e decentralizimit, Nano u ka bërë thirrje socialistëve, të angazhohen në një proces propagandimi të arritjet të qeverisjes vendore në dy vitet e fundit.

Fatos Nano:- “Aleanca jonë me shoqërinë civile është një përgjegjësi programore, që ka rezultuar e suksesshme kudo ku kemi qeverisur së bashku dhe unë ju kërkojë t’i përshëndesim dhe t’i nderojmë ata burra dhe gra profesionistë të ndryshimit të Shqipërisë, që i ofruan partneritet efikas projektit tonë për një Shqipëri europiane. Procesi i evidentimit të arritjeve në qeverisjen vendore dhe ndarja e sukseseve, me publikun e gjerë, duhet të zërë vend më shumë. Në koherencë me këtë, strukturat e partisë, mbështetur në kalendarin politik dhe detyrat e përcaktuara, duhet të sigurojnë një aktivitet intensiv politik, për të përballuar sfidën politike të radhës”.

Zoti Nano nuk ka kursyer as këtë herë kundërshtarin politik Berisha, të cilit i ka atribuuar pjesën më të madhe të suksesit politik të PS dhe qenies së saj në pushtet për një kohë të gjatë.

Fatos Nano:- “Fatos Nano nuk dorëzon pushtetin tuaj, ai nuk do ta ketë kurrë këtë mandat, në këtë kuptim Berisha nuk ka asnjë ndryshim nga këshilltarët dallaveraxhi, që ju vinë përditë në zyrat tuaja. Ai ashtu si ata kërkon atë që nuk i takon, kur nuk e merr shpif, shan e mallkon, duke u bërë qesharak padyshim, por ne jemi shqetësimi dhe kura e doktorit njëkohësisht. Ai ka lindur për t’ju shërbyer socialistëve”.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryebashkiaku Rama.

Edi Rama:- “Kjo që kemi shumë akoma për të bërë, besoj që është edhe arsyeja, pse doktori duhet të vazhdojë t’i bjerë shpatullës së majtë me dorën e djathtë dhe pse ne duhet të vazhdojmë të qeverisim dhe të shpresojmë që doktori ta ketë shumë të gjatë jetën, pikërisht për t’i shërbyer kësaj mazhorance dhe këtij vullneti”./tvklan.al