Lajme Arkiva 2003
I vënë para kritikave të grupit parlamentarë të Partisë Socialiste kryeministri Fatos Nano ka lënë të hapur rrugën për ndryshimin në kabinetin e tij qeveritar. Përball deputetëve socialist disa prej të cilëve kanë shprehur hapur suksesin e qeverisë së radhës së kryeministrit, kreu i mazhorancës ka paralajmëruar ndryshime të buta mes ministrave të cilët nuk kanë arritur rezultate të kënaqshme gjatë këtyre muajve. Gjithçka zoti Nano do ta justifikoj me atë që e ka quajtur mungesë angazhimi si nga pala qeverisëse ashtu edhe nga segmente të grupit parlamentar.
Fatos Nano: Dua të them se po kthehemi te koha e vjetër që në raste të tilla bënte thirrje për unitet apo zbulonte armiq apo poliagjentë, por edhe të paangazhuar sa duhet nuk mund të përballohet me kualitetin e duhur sfida qeverisëse.
Nano nuk ka dhënë ndonjë afat kohor kur mund të bëhen këto ndryshime, por javët e para të pranverës nuk do të kalojnë pa ngritje tensionesh politike. Në mbledhjen e grupit ku ka munguar zëvendës kryeministri Ilir Meta dhe janë larguar shumë deputetë ende pa mbaruar takimi i përjavshëm, Nano nuk ka kursyer kritikat për socialistët që kërkuan dhe përkrahën largimin e Ferdinand Papadhimës një prej njerëzve të besuar të kryeministrit, nga posti i drejtorit të përgjithshëm të doganave.
Fatos Nano: Nuk mund ta kuptoj se si në vend që të japin të gjithë nga një dorë për përmbushjen e detyrimeve qeverisëse që janë kaq komplekse, në vend që të shqetësohemi më së shumti për probleme të energjisë, të investimeve publike dhe private, për nivelet e shërbimeve dhe të arsimit, ka kaq muaj që vazhdohet pjesërisht të angazhohet edhe grupi me drejtorin e përgjithshëm të doganave. Unë dhe qeveria vazhdojmë të jemi të angazhuar për punën që nxisin reformat dhe nuk e humbasin toruan nga “gërr-vërret” e provincave për emërime për shkarkime drejtorësh të gjithë farësh. Me një numër drejtorësh që po shahen, qeveria po mbush arkën e shtetit dhe jo xhepat e vetë./tvklan.al