Lajme Arkiva 2003

Kryeministri Fatos Nano morri pjesë në çeljen e sesionit të 57 të panairit në Fiera De Levante në Bari të Italisë. Ceremoninë e hapi presidenti i rajonit të Pulias Raffaele Fitto, i cili në fjalën e tij i kërkoi kryeministrit Berlusconi vëmendje maksimale për korridorin 8 si projekti që do të çojë drejt zhvillimit vendet e rajonit dhe sidomos jugut të Italisë.

Shefi i qeverisë italiane Berlusconi u përgjigj se Italia e ka korridorin 8 një impenjim strategjik. Ajo u kërkoi biznesmenëve italianë të pranishëm në këtë ceremoni të shikojnë më dashamirësi investimet në vendin fqinj në funksion të realizimit sa më të shpejtë të projektit të korridorit të 8. Kryeministri shqiptar Fatos Nano në Bari u mundua të linte mënjan dyshimet mbi realizimi  e këtij projekti.

Fatos Nano: Është një korridor zhvillimi, është një korridor politik, është një korridor integrimi dhe unë jam i bindur që me këtë vullnet europeist që po manifestojnë të gjitha vendet e Ballkanit që përshkon korridori i 8, të cilin e gjetëm si të mirënjohur dhe të pranuar për partneritet nga autoritetet italiane , jo vetëm në Pulia por edhe si presidencë e Bashkimit Evropian, korridori do të bëhet në një të ardhme të afërt një realitet funksionues.

Kryetari i Partisë Socialiste italiane Massimo D’Alema, ka kundërshtuar deklaratën e kryeministrit Berlusconi në lidhje me korridorin 8. Sipas d’Alemës, nga provat dhe nga vëzhgimet e bëra shihet se qeveria italiane nuk e ka financuar plotësisht korridorin 8. Kështu nga 400 miliardë  euro të parashikuara për korridorin 8, shuma është zvogëluar duke shkuar në 50 miliardë, gjë që do të thotë se kjo shumë mjafton vetëm për një pjesë të projekteve.

Dy kryeministrat në Fiera de Levanta kanë zhvilluar një takim në pavijonin e rezervuar për Shqipërinë. Të dy autoritetet janë ndalur në çështjet e riaktivizimit të angazhimeve për të dinamizuar proceset e negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asocimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Në takim dy shefat e qeverive kane biseduar rreth procesit të privatizimit në Shqipëri dhe hapave konkret për pjesëmarrjen e investitorëve italianë në privatizimin e sektorëve strategjik.

Kryeministri shqiptar Fatos Nano dhe homologu italian Berlusconi morën pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe edukativ mes rajonit të Shqipërisë dhe rajonit të Pulias, nënshkruar për rajonin e Pulias nga Presidenti Raffaele Fitto dhe për palën shqiptare nga ministri i ekonomisë Arben Malaj./tvklan.al