Specialistët: Synon mbrojtjen e të miturve nga rreziqet online
Të gjithë fëmijët nën 14 vjeç nuk do të lejohen të futen në një qendër interneti nëse nukjanë të shoqëruar nga prindi apo nga një person i rritur. Ky është propozimi i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, i miratuar në Këshillin e Ministrave.
Ky vendim synon mbrojtjen e fëmijës nga aksesi në internet me informacione e video të ndaluara dhe të dëmshme për moshën e tyre. Sipas vendimit, qendrat e internetit duhet të kene të afishuar ketë vendim si dhe formularin që duhet të plotësohet dhe firmoset nga prindi.
“Fëmija nuk e ka të kuptueshme le të themi përsa i përket edhe zhvillimit sesa e dëmton një fëmijë për të parë në internet materiale të cilat tashmë i kemi edhe nga eksperienca që janë të rrezikshme dhe përbëjnë potencial përsa i përket edhe kopjimit të këtyre modeleve që fëmijët tashmë i zbatojnë”, thotë Alma Tandili, drejtoresha e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës.
Për të gjitha subjektet që nuk zbatojnë këtë vendim do të ketë penalitete. Për prindërit kufizimi i fëmijëve në qendrat e internetit shihet me pozitivitet.
“Shumë mirë sepse unë nuk e lë fëmijën tim, edhe kur e lë e lë me kufizim. Janë të rrezikuar nga bota e internetit, nuk kanë shumë kontroll”, thotë një prind.
Sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, do të kontrollohen edhe institucionet arsimore që përdorin internetin për filtrat e përdorur, për të mbrojtur të miturit nga aksesi i internetit.
Tv Klan