Një grua 35-vjeçare nga Japonia është bërë fenomen në mbarë botën. Marie Kondo është cilësuar ndryshe si magjistare e pastërtisë. Si themeluese dhe krijuese e metodës “KonMari” dhe autore e 4 librave dedikuar “magjisë” së ndryshimit të jetës, pasioni i Marie për qetësinë dhe rregullin ka mësuar në mënyrë efektive një masë të gjerë njerëzish për të jetuar më të lumtur me pak rrëmujë. Ajo nisi gjithçka si një individ i vetëm, ndërsa sot funksionon me ekipin e saj.

Për të folur rreth saj si fenomen televiziv, si dhe rreth mënyrës së saj të mahnitshme të organizimit dhe shndërrimit të zyrave apo shtëpive, ishin të ftuara në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, gazetaret Elda Laze dhe Suela Demiri.

“Metoda e saj është shumë interesante. Ajo flet për një mënyrë të veçantë, duke filluar nga përzgjedhja e veshjeve, nga ato që të sjellin gëzim. Në këtë mënyrë ka edhe efektin e vet psikologjik, sepse na sjell qetësi shpirtërore. Nëse një veshje nuk ta jep efektin e qetësisë shpirtërore, atëherë duhet larguar, por duke e falenderuar atë më parë që ka arritur qëllimin e vet. Në një farë mënyre është një lloj terapie që bëhet me veshjet. Ndryshe nga ne që zgjedhim të pastrojmë për shembull sot dhomën e gjumit dhe nesër kuzhinën, ajo është krejt ndryshe. Rekomandimet e saj fillojnë me kategori. Për shembull, një ditë sistemohen librat, një ditë veshjet etj”,

tha Demiri.

“Në momentin që unë pashë disa video të Marie Kondos, hapa dollapin dhe ishte realisht i tmerrshëm. Sitemimi i dollapit për mua është dënimi më i madh, sepse ka shumë. Përsa i përket fenomenit Marie Kondo besoj që ka ardhur në momentin e duhur, sepse kohët e fundit është promovuar shumë fakti që jemi konsumatorë të mëdhej dhe që blejmë shumë. Duke blerë shumë, shtëpitë tona janë kthyer në magazina të gjërave edhe të panevojshme. Rregulli kryesor i saj për rrobat është t’i palosësh veshjet vertikalisht dhe jo horizontalisht”

, shtoi Laze.

/tvklan.al