Fermerë nga e gjithë Shqipëria dhe biznese të ndryshme, u bënë bashkë për të prezantuar produktet e tyre të freskëta dhe autoktone me vulën “Made in Albania” në panairin “Tirana Agro”. Gjatë vizitës në panair, kryebashkiaku Erion Veliaj, theksoi rëndësinë e mbështetjes së bizneseve të vogla dhe familjare.
“Ftesa është të blini produkte lokale, ndihmoni bizneset e vogla, ndihmoni bizneset familjare. Kush blen pak kafe, rakinë dhe verën, ose pak ushqime, nuk ka bërë vetëm shtrimin e tavolinës, ka ndihmuar edhe një vajzë të vogël që të blejë librat e shkollës, ka ndihmuar edhe një djalë të vogël që të blejë këpucët e para të futbollit. Ky biznes familjar duhet mbështetur jo vetëm nga Bashkia e Tiranës, por nga kushdo që i ka mundësitë”.
Kryebashkiaku u ndal edhe tek punimet që po kryhen në autostradë për zgjerimin e saj, për të cilën tha se pishat e hequra do të mbillen në parqet e Liqenit të Tiranës, Farkës dhe Prushit
“Kemi një operacion shumë të madh. Të gjithë pishat që hiqen nga autostrada për zgjerimin e korsisë do të mbillen në parkun e Liqenit të Tiranës, Farkës dhe të Prushit. Kështu, sigurohemi që asgjë nuk shkon dëm në këtë qytet, të gjithë mbështesim njëri-tjetrin dhe me këtë energji pozitive ecim të gjithë përpara.”
Autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat.
Tv Klan