Tokat e Myzeqesë po mbillen me perime në 12 muajt e vitit. Bimët që kultivohen janë të gjitha hibride për në sera. Vetëm tek një fidanishte në muajin Janar, janë porositur mbi 1 milionë bimë kastravec të llojit “Konishon” për eksport.
Në shumicën e rasteve janë gratë ato që përgatisin hibridet duke bërë edhe shartesat. Ato kanë mësuar nga eksperienca e treguar nga të tjerët dhe thonë se është një punë e lehtë. Kërkesat për bimët hibride janë gjithnjë e më të shumta.
“Tani përgatiten fidanët e domates, specat, trangullit, konishon, fillojmë e mbjellim për sezonin që vjen. Qepë ka në këto momente”, tha një prej tyre.
Domatja hibride zë mbi 60% të kërkesave për mbjellje, 25% kastraveci, 10% speci dhe 5-6 % hibridet e tjera si bostani, patëllxhani dhe qepa.
Farërat autoktone janë zhdukur dhe punohet vetëm me hibride të blera nga jashtë. Prodhuesit duke kërkuar fidanë që i rezistojnë kohës dhe japin prodhim të bollshëm, hoqën dorë nga farërat vendase, siç ishte domatja “zemër kau” e dikurshme.
“Është tregu që ka konishoni, ata që e tregtojnë kanë treg gjermaninë dhe themi se ka zënë vend kryesor. Dhe tek fermeri ka njohur interes sepse i ka të ardhurat e garantuara sepse është me çmim fiks”, tha Beshir Sina, agronom.
Agronomet pohojnë se është hequr dorë nga përdorimi i hormoneve, por deformimet që shohim tek frutat bëhen nga faktorët ekologjikë dhe jo nga përdorimi hormonal.
“Është një shprehje e vjetër që ka ngelur. Nuk bëhet fjalë për ndryshim të shijes. Ai ruan të gjitha cilësitë, të gjitha parametrat. Bëhet fjalë për nënshartesa të sigurta”, thotë Sina.
Pothuajse mbi 90% e fermerëve mbjellin me synimin për të eksportuar prodhimet e tyre.
Fermerët pas dështimeve ndër vite, kanë mësuar se eksporti dhe lidhja e kontratave me jashtë, sjellin shitje të garantuar me çmime fikse. Këtë garanci e kanë vetëm nga mbjelljet e hibrideve të caktuara në serat diellore, sipërfaqet e të cilave janë shtuar.
Klan News