SPAK ka përfunduar hetimet ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, lidhur me dosjen e “Xibrakës”. Përmes një reagimi zyrtar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se nga hetimet e kryera rezulton se nuk ka asnjë provë apo fakt që e lidh Olsi Ramën me këtë aktivitet kriminal.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr.335/1 të vitit 2016. Ky procedim lidhej me veprat penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve dhe kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal. Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit Olsi Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës. Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që lidhin shtetasin Olsi Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë”, thotë SPAK.
Më tej, shton se dosja për laboratorin e drogës do t’i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar me përpjekjet për identifikimin e autorëve të tjerë.
“Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale më datë 23 Dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr.88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar.”
Kujtojmë se ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi i cili hodhi akuza ndaj Olsi Ramës se kishte lidhje me laboratorin e drogës në Mars të vitit të shkuar. Më pas ai e denoncoi në SPAK, si person që kishte dijeni për çështjen. Teksa mohoi pretendimet e demokratit, Olsi Rama e paditi atë për “kallëzim të rremë” duke i konsideruar akuzat si lëvizje politike. Edhe vetë kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar herë pas here sa i takon kësaj çështjeje.
Theksojmë se për këtë dosje, në vitin 2016 Prokuroria për Krimet e Rënda u ka komunikuar akuzën 9 personave.
/tvklan.al