Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një bashkëbisedim me përfitues të mëparshëm të programit të strehimit social tha se skema e re përfshin rritje të numrit të kredive, në 1200 të tilla, ndërsa shtoi se është bërë përditësimi i çmimit të referencës për blerjen e një shtëpie.

“Me skemën e re kemi më shumë mundësi: do të japim 1200 kredi të buta nga 1700 aplikime që kemi deri tani. Pra, do të përfitojnë kredi të butë më shumë se 50% e aplikuesve. Ne hidhnim në treg 300-400 kredi, sot kemi 1200. Jo vetëm kaq, por çmimet janë të përditësuara, si dhe për herë të parë projektin e kemi hapur përtej familjeve burrë e grua, çift i ri, duke përfshirë familje që mund të ketë kaluar situata shumë të vështira”, tha Veliaj.

Teksa shumica e qytetarëve të Tiranës janë pronarë të një shtëpie, për Veliajn rritja e çmimit të pronave është një lajm i mirë për shumicën e qytetarëve pronarë të një pasurie të paluajtshme.

“Kur dëgjoj këta që ulërasin poshtë bashkisë apo nëpër televizione – që e kanë shtëpinë disa herë më të madhe se timen, dhe vilat nuk u numërohen dot me gishtat e njërës dorë, – që arsyetojnë për çmimin e pronave, them mundohet t’ia qajë zengjini hallin fukarait, ndërkohë që, mjafton një logjikë e thjeshtë për të kuptuar se rritja e vlerës së pronës për 90% të qytetarëve që janë pronarë është lajm i mirë sepse rritet ajo që kanë në shtëpi, që është e tyrja”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se ky vit do të jetë viti i reformave të rëndësishme dhe të qëndrueshme për qytetin e Tiranës.

“Unë ia kam kushtuar jetën këtij qyteti, dua që këtë vit të kemi reformat më të mëdha të solidaritetit që ka pasur ndonjëherë”, tha Veliaj.

Sakaq Veliaj dha edhe lajmin e hapjes së konkursit për ndërtimin e qendrës më të madhe të ekselencës për fëmijët e spektrit autik dhe sindromës Down dhe ftoi të gjithë arkitektët që kanë ide për t’u bërë pjesë e tij.

Tv Klan