Fjodora Fjora: Dita e 1 Qershorit sot duket se ka marrë kuptimin e saj të vërtetë. Me dhjetra mijëra fëmijë kanë pushtuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në një aktivitet gjigand të organizuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Janë me dhjetra mijëra fëmijë të ardhur këtu nga shkollat 8-vjeçare dhe shkollat e mesme të Tiranës të cilët marrin pjesë në koncerte, ekspozita, panaire të vogla, të gjitha të organizuara vetëm për argëtimin e tyre.

“Një qershor festa e evropianëve të rinj”, kështu është vendosur të quhet ky aktivitet ku gjithçka është konceptuar si një performancë kulturore rinore dhe sportive kushtuar fëmijëve. Kjo iniciativë është zhvilluar në bashkëpunim me disa institucione, si Drejtoria Arsimore e Tiranës, Qendra Kulturore për Fëmijë, Teatri Kombëtar i Kukullave, Akademia e Dancit, Cirku i Tiranës etj. Gjithçka është menduar të jetë në funksion të fëmijëve për të krijuar një atmsoferë sa më festive ku ata janë bërë pjesë e koncerteve, ekspozitave me vizatime, valleve etj.

“Bëmë një koncert të shkurtër me këngë dhe vjersha.”

Fjodora Fjora: Bravo! Çfarë dëshire do të keni ju sot për ditën e 1 Qershorit, p.sh. doni thjesht dhurata apo keni nevojë për diçka tjetër?

“Dhuratat janë një pjesë e jetës dhe ne i pranojmë se fundja fundit jemi fëmijë dhe i duam, por ne do të donim edhe dashuri d.m.th. nga të tjerët.”

Fjodora Fjora: A po kënaqeni ketu sot, ju pëlqen ky organizim, çfarë ju pëlqen më shumë nga të gjitha këto që keni parë këtu sot?

“Këtu është ambient fëmijësh dhe ne, janë të gjithë bashkëmoshatarë dhe ne këtu gjejmë d.m.th. vetveten tonë.”

Fjodora Fjora: Çfarë po interpretoni këtu sot për bashkëmoshatarët tuaj?

“Kryesisht valle popullore nga të gjitha rrethet, nga të gjitha trevat.”

Fjodora Fjora: A po argëtoheni?

“Po patjetër.”

E duke qenë se është dita e tyre, sot fëmijët kanë patur edhe vizita tepër të veçanta nga kryeministri i vendit Fatos Nano, i cili është shoqëruar nga bashkëshortja e tij Xhoana Nano, të cilët janë bërë pjesë e festës përgjatë bulevardit të shoqëruar nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Blendi Klosi që ishte dhe iniciatori i këtij aktiviteti.

Blendi Klosi: “Ministria e Rinisë nuk mund të linte pa gëzuar këta fëmijë në një festë e cila po bëhet gjithmonë e më shumë popullore dhe po ashtu unë mendoj se ministria do e ketë në këndvështrimin e saj gjithmonë e më shumë, organizimin e jetës sociale më të përshtatshme dhe të vlerësueshme për të gjithë.”

Edhe kryetari i Bashkisë Edi Rama ka qenë për disa momente vizitor special i këtij panairi festiv. Festa ka zgjatur për disa orë duke krijuar një atmosferë vërtet të mrekullueshme, shumëngjyrëshe në sheshet kryesore të Tiranës. /tvklan.al