Vjen për herë të parë në Tiranë “Festivali i Verës Merano”, një traditë italiane që daton nga viti 1992. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në takimin që zhvilloi me organizatorin kryesor të këtij eventi, vuri theksin te nevoja e promovimit të produkteve vendase dhe bashkëpunimi me institucionet përkatëse, për ta kthyer këtë festival në një histori suksesi për Tiranën.

“Ne duam shumë që të fokusohemi tek produkti Made in Albania, te kilometri zero, tek ajo që quhet slow-food, tek agroturizmet tanë që kanë bërë një punë fantastike. Unë besoj që edhe qëllimi i qeverisë dhe i bashkisë është të promovojë maksimalisht produktet lokale. Kur ne takojmë një partner serioz ndërkombëtar që do të na ndihmojë të promovojmë produktet lokale, themi që është një kombinim perfekt.”

Në shenjë mirënjohje, Kryetari i Bashkisë së Tiranës u dhuroi organizatorëve një manual të transformimit të Tiranës.

“Nuk është një libër propagande por është një metamorfozë, pra është një manifest politik që shumë prej gjërave të bukura që kemi bërë në Tiranë, ne i kemi bërë shumë sforco, me shumë mund, ndonjëherë edhe me shuam debate. Pak a shumë, si vera që duhet të kalojë gjithë stresin e vet, derisa të prodhohet një produkt për t’u shijuar. Shpresoj që shumë të injektojmë dashuri për produktet tona dhe më shumë se sa nga Merano ne nuk mund të prisnim, pasi e ka kthyer në art organizimin e festivaleve të verës.”

Ekspertë nga e gjithë bota, prodhues të verës, dhe degustues, do të bëhen bashkë në aktivitetin gastronomik ndërkombëtar në 11 dhe 12 Maj për të shijuar dhe vlerësuar verërat, por edhe specialitete të tjera. 

Tv Klan