Lajme Arkiva 2003

83 vjet më parë Tirana është shpallur kryeqytet. Me këtë rast Drejtoria e Kulturës në Bashki, Shoqëria Tirana dhe Galeria Kombëtare e Arteve, kanë përkujtuar me një ekspozitë me fotografitë e para  të kryeqytetit dhe disa kumtesa të rastit.

Në ceremoni është vlerësuar edhe një nga figurat e njohura të Tiranës Murat Toptani personalitet në historinë e qytetit dhe përfaqësues në nënshkrimin e pavarësisë në 1912 përkrah Ismail Qemalit.

Gjithashtu është nxjerrë nga fondi i Galerisë Kombëtare busti i parë shqiptar i gdhendur pikërisht nga Murat Toptani 85 vjet më pare. Mbi vlerat patriotike dhe artistike të kësaj vepre arti ka referuar studiuesi Ferit Hudhri, ndërsa në formë simbolike rishfaqjen në publik të kësaj skulpture e ka bërë kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama.

Pas ceremonisë ku është festuar 83 vjetori i Tiranës si kryeqytet Rama ka drejtuar një operacion të Policisë Ndërtimore për prishjen e ndërtimeve në kundërshtim me planin urbanistik të Tiranës.

Kësaj radhe kanë qenë objekt i rrafshimit disa dyqane, garazhe dhe rrethime pallatesh në unazë. Banorët e zonës kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për shkatërrimin e objekteve të ngritura, por kryetari i bashkisë i ka kundërshtuar kërkesat e tyre duke shprehur se hapësirat publike janë pronë e të gjithëve.

Edi Rama: Hapësirat e përbashkëta nuk janë as zona ku më të fortët mund të bëjnë çfarë të duan, as zona ku mund të magazinohen plehra, mbeturina, makina të vjetra apo ku mund të ndërtohen garazhe për makina të reja pa pasur pronësinë dhe lejen për të ndërtuar mbi këtë pronësi. Këto janë hapësira që në radhë të parë i takojnë fëmijëve dhe më të moshuarve dhe më pas i takojnë qytetarëve që banojnë  në të gjitha katet e pallatit e jo atyre që rastësinë e të banuarit në katin e parë e konsiderojnë si një të drejtë për të okupuar hapësirën përball dritares të tyre dhe për të rritur aty bagëti apo qoftë edhe lule të cilat nuk u përkasin të gjithëve./tvklan.al