Varret e fshehta siç duket nuk kanë qenë thjesht pjesë e filmit të famshëm “Indiana Jones dhe Kryqëzata e fundit”. Arkeologu Josh Gates ka thënë në premierën e sezonit të ri “Ekspedita të panjohura” më 9 Tetor se një skuadër amerikano-jordaneze ka zbuluar një varr masiv në vendin historik ku u xhirua filmi në 1989-ën.

Vendi i njohur si “Thesari” në Petra të Jordanisë ka shërbyer si shtëpia e ‘Gralit të Shenjtë’ në filmin i cili kishte të bënte me kupën mitologjike nga e cila piu Jezusi në Darkën e Fundit. Në film, Kupa i siguron kujtdo që pi në të pavdekshmërinë, për aq kohë sa nuk e heqin atë nga varri. Mbretëria e Nabatean krijoi një qytet të tërë në shkretëtirë mijëra vjet më parë,  me “Thesarin” e vendosur në mes. Që prej filmit, “Thesari” është kthyer në një destinacion që tërheq miliona vizitorë në vit.

Një varr me 12 skelete brenda u zbulua në strukturën 2 mijë vjeçare pas një skanimi me sensorë që e bëri ekuipazhin të fillonte me gërmimet. Sigurisht projekti kishte edhe lejen e qeverisë jordaneze. Drejtues i ekipit ishte profesori Paul Creasman, drejtor ekzekutiv i Qendrës Amerikanë të Kërkimeve.

Duke qenë se shumica e varreve të zbuluara në Jordani janë bosh, ky zbulim ka një rëndësi të madhe për arkeologët. Ky varr mund të çojë në zbulimin e shumë sekreteve dhe mënyrës si kanë jetuar njerëzit në periudhën e Nabataeans.

E çuditshme dhe e frikshme njëkohësisht është fakti se një nga skeletet u gjet duke shtrënguar një enë qeramike, fiks si te filmi i famshëm. “Kur vumë re që dukej si një kupë, të gjithë shtangëm. Ishte thuajse identike me atë te filmi”, tha Gates.

“Thesari” besohet të jetë përdorur për funeralet  mijëra vjet më parë, ndërsa janë zbuluar edhe tre varre ‘Nabatean’ që datojnë që në shekullin e parë para Krishtit.

/tvklan.al