Një nga lagjet kufitare mes Tiranës dhe Kamzës, po transformohet falë investimit të Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet dhe theksoi se si shumë zona të tjera në periferi, edhe kjo është pjesë e 100 lagjeve me standarde.
“Këtu jemi në një zonë periferike, e cila nuk ka qenë as e Kamzës as e Tiranës për shumë vjet, por me ndarjen e re administrative i ka kaluar kryeqytetit. E gjithë puna që po bëjmë në zonat periferike, si tek “Treshi”, edhe këtu në lagjen e “Balshajve”, edhe tek “Fresku”, te “Thesari” ku takohemi me Dajtin, edhe te zona e Kopshtit Zoologjik dhe Botanik, edhe te zona e lagjes ‘Rilindja’ ku kalon Unaza e Madhe, më në fund është futur në konceptin e 100 lagjeve ku po ndërhyjmë, për të mos pasur asnjë zonë e cila çedon dhe për t’u siguruar që, ashtu siç kemi bërë shkollat e Kodër Kamzës, të cilat janë shumë më cilësore se shumë nga shkollat e qendrës së Tiranës, ashtu dua që edhe në nivelin e infrastrukturës horizontale dhe vertikale lagjet të mos dallojnë nga njëra-tjetra,” tha Erion Veliaj.
Veliaj shtoi se të gjitha këto investime do të rrisin vlerën e banesave në këtë zonë, në mënyrë që edhe lagjja “Balshaj” të përfitojë nga rritja ekonomike në Tiranë.
Klan News