Pas rreth 6 muajsh pezullim, arkeologët u rikthyen në kantierin e ndërtimit të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, ku u gjet një mozaik floreal i shekullit I të erës sonë.
Fillimi i gërmimeve në ditë e parë të punës solli gjetje të rëndësishme si rifiniturat e veshjeve të brendshme të vilës, pllaka me dekoracione të Mesdheut, veçanërisht në Pompei, të cilat datojnë para dhe pas lindjes së Krishtit.
Luan Përzhita: Flitet për zbulimin e një muri i cili mbyll gjithë territorit e vilës që ndodhet në pjesën veriperëndimore të shkollës. Po ashtu kemi një banesë që është shkatërruar gjatë tërmetit të shekullit 4-ërt dhe kemi gjetur njësi të çatisë së rënë mbi dysheme.
Arkeologu Përzhita thotë se pas zbulimit të pjesës së madhe të mozaikut, pritet të vendoset se çfarë do të bëhet me ekspozimin e tij.
Luan Përzhita: Një zbulim tjetër i këtyre ditëve është një tjetër monument i aspektit hidrik, është i përbërë nga 4 vaska të vogla. Akoma s’kemi mbaruar punimet, jemi në hapat e parë.
Mozaiku floreal, datuar nga fundi i shekullit të parë dhe fillimi i shekullit të dytë, i gjetur në një vilë luksoze pranë Amfiteatrit të Durrësit, është vlerësuar si një nga zbulimet më interesante të nëntokës së qytetit. Gërmimet arkeologjike po zhvillohen në zonën ku pritet të ndërtohet shkolla “Gjergj Kastrioti”, me thellësi prej 6.75 metra dhe sipërfaqe paraprakisht të përbashkët prej 560 m².
Për këto gërmime, Bashkia e Durrësit ka akorduar një fond prej rreth 13 milionë lekësh të reja.
Klan News