Lajme Arkiva 2003

Nesër fillon shpërndarja e librave në të gjithë shkollat fillore dhe 8-vjeçare në vend. Janë 514 mijë nxënës të shkollave publike dhe privatë qe do të përfitojnë tekste falas. Shtypja e tyre, nga tre shtypshkronja shqiptare që fituan tenderin përfundoi në fund të muajit gusht.

Gjithsej janë 4 milionë e gjysmë libra që Ndërmarrja e Librit Shkollor ka shpërndarë nëpër drejtoritë arsimore në Tiranë dhe rrethe.

Afati i përdorimit të këtyre librave të shtypura me fonde të Bankës Botërore shkon deri në 3 vjet. Ndërkohë është parashikuar që për të kaluar nga brezi në brez ato do të ruhen nëpër bibliotekat e shkollave.

Ndërsa në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencave tregojnë se librat e shkollave të mesme janë ende në proces shtypje. Megjithatë në këtë ministri sigurojnë se edhe shpërndarja e librave  të gjimnazeve do të arrihet në kohë për të filluar vitin e ri shkollor./tvklan.al