Shqipëria dhe Azerbajxhani janë shtetet e vetme evropiane që për vitin 2009 do të kenë një rritje ekonomike pavarësisht horizontit të zymtë të vendeve të tjera.
Sipas Stefan Wagstyl në shkrimin e tij në Financial Times në këto kohë krize këto dy vende shërbejnë si shembull dhe shpresë për vendet e tjera të Evropës.
Lindja e kontinentit është goditur nga recesioni më i rëndë që nga kolapsi i Bashkimit Sovjetik, ndërsa bankat janë vënë nën presion, investimet po bien dhe papunësia është në rritje.
Hungaria pritet që këtë vit të pësojë një rënie prej 5% të GDP-së, Ukraina 10%, ndërsa Letonia 12%, por një pasqyrë krejt e kundërt dhe shpresëdhënëse, shkruan Wagstyl, shihet në Shqipëri dhe Azerbajxhan, të cilët po i tregojnë botës se falë masave të marra në fusha të ndryshme janë më fleksibël ndaj krizës ekonomike, e cila është ulur këmbëkryq në të gjithë kontinentin.
Të dhënat tregojnë se në periudhën afatshkurtër vendet e Evropës Lindore do të kenë nevojë për mbështetje financiare nga pjesa perëndimore e kontinentit, por në periudhën afatgjatë Evropa Perëndimore do të ketë nevojë për Lindjen po aq./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle