Kina po ndërton një qendër të re komande ushtarake pranë Pekinit, më gjigantja në botë dhe 10 herë më e madhe se Pentagoni, thanë zyrtarë amerikane të zbulimit për gazetën Financial Times.

Pamjet satelitore të bazës, rreth 32 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit kinez, tregojnë një kantier ndërtimi me përmasa mbi gjashtë kilometra katrorë që ekspertët thonë se mund të strehojë bunkerë të përforcuar ushtarakë për të mbrojtur udhëheqësit ushtarakë të vendit në rast të një lufte bërthamore.

Pasi të përfundojë, struktura, e quajtur “Qyteti Ushtarak i Pekinit”, pritet ta zbehë pamjen e Pentagonit, selinë e mbrojtjes së SHBA-së, e njohur si ndërtesa më e madhe e zyrave në botë.

Pamjet e marra nga “Financial Times”, tregojnë se ndërtimi filloi në mesin e vitit 2024, ndërsa Ushtria Çlirimtare Popullore përgatitet për 100-vjetorin e saj, në vitin 2027.

Presidenti Xi ka paralajmëruar vazhdimisht se synon të aneksojë Tajvanin në këtë datë duke paraqitur një kërcënim të madh për Shtetet e Bashkuara, të cilat mbështeten te Tajpei për furnizimet me mikroçipe.

Pavarësisht se punimet e ndërtimit ecin me ritme të shpejta, nuk ka asnjë përmendje zyrtare të bazës në faqet kineze të internetit.

Asnjë personel ushtarak nuk është i dukshëm në vend, por qasja në objekt është rreptësisht e ndaluar dhe shenjat jashtë objektit paralajmërojnë kundër fluturimit të dronëve ose fotografimit.

Shtigjet e njohura të ecjes aty pranë janë gjithashtu të ndaluara.

Një studiues kinez që kishte parë imazhet tha se vendi ka “të gjitha shenjat dalluese të një objekti të rëndësishëm ushtarak”, me tunele të thella nëntokësore me beton arme.

Kina ka përparuar dhe me arsenalin bërthamor. Vlerësimet e Pentagonit tregojnë se Kina do të ketë 1 500 armë bërthamore operacionale deri në vitin 2035, e barabartë me fuqinë e zjarrit të Shteteve të Bashkuara.

Klan News