Lajme Arkiva – TV Klan 2000

“Koshtuna, Koshtuna”. Me këto thirrje u mbushën sheshet e Serbisë, një muaj para zgjedhjeve federale të 24 Shtatorit. Kush i kishte ndjekur zhvillimet politike të viteve të fundit në Jugosllavi, pyeti se për kë bëhej fjalë. Nëpër mitingje dhe agjencitë e lajmeve nisi të përmendet dhe më shpesh emri i Vojslav Koshtunicës, juristit 56-vjeçar, i cili mori përsipër të përfaqësonte në zgjedhje Aleancën e 19 partive të opozitës serbe.

Ajo që ra në sy në fillim të fushatës së tij ishte fakti se ai nuk u mbështet nga Vuk Drashkoviç, një prej figurave më të diskutuara të politikës serbe. Perëndimi u tregua entuziast në përshëndetjen e tij ndaj kandidatit opozitës serbe dhe shumë shpejt u kuptua se zgjedhjet e 24 Shtatorit ishin luftë për jetë a vdekje mes Millosheviçit dhe Koshtunicës. Po me çfarë e luftoj gjatë fushatës, kandidat i opozitës serbe të patundshmin Millosheviç?

Gjatë fushatës Koshtunica u kërkoi serbëve votën në emër të asaj mbyllje që Millosheviçi u kishte shkaktuar në 10 vitet e fundit. Në emër të ndryshimit dhe të një jete më të mirë, duke anashkaluar problemet etnike të ish-Jugosllavisë dhe duke mos e përmendur faktin e dorëzimit të Millosheviçit në Hagë. Dy ishin pikat që nuk ndryshuan gjatë gjithë fushatës së tij elektorale. E para nuk do të dorëzojë Millosheviçin në Hagë dhe e dyta, Kosova nuk do të ketë pavarësi.

Megjithatë opinioni ndërkombëtar është entuziast për fitoren e tij, e cila erdhi si pasojë e një revolte të akumuluar prej muajsh e që shpërtheu pak ditë më parë në rrugët e Beogradit. Koshtunica e ka tashmë të sigurt postin e presidentit të ardhshëm të Jugosllavisë, duke qenë ura lidhëse e Jugosllavisë me perëndimin./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori