Hija e Donald Trump, të presidentit të zgjedhur të SHBA-ve dominoi mbledhjen e Komunitetit Politik të liderëve të BE-së në Budapest, por sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama “për rikthimin e tij po bëhet shumë zhurmë, pasi kjo mund të jetë një gjë e mirë për Evropën.”

“Mënyra si e shoh unë është se është bërë shumë zhurmë, ndoshta, jo në mënyrën e duhur për kthimin e tij të mundshëm. Përvoja më thotë që kur ishte president dhe të gjithë thonin se NATO do të bëhej më e dobët, NATO-ja u bë më e fortë. Kështu që, le të shohim dhe le të mos bëhemi histerikë përpara se të shohim realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërisht diçka e keqe për Evropën. Mund të jetë një gjë shumë e mirë për Evropën.”

Në prononcimin e tij për mediat zbulon edhe se çfarë i ka thënë presidentit ukrainas mbi fitoren e Trump dhe të ardhmen e luftës kundër Rusisë.

“Ia kam thënë, mendoj që nuk është domosdoshmërisht diçka për t’u shqetësuar për shkak të tij, por diçka për të reflektuar, për të bërë shumë më tepër për të pasur një Evropë shumë më të fortë. Ndaj, nuk mendoj se ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është diçka që duhet ta shohim si shqetësuese.”

Ndërsa shprehet se ardhmja e Trump nuk përbën ndonjë shqetësim për Shqipërinë.

“Dëgjo, unë jam Kryeministri i Shqipërisë. Jam më i gjati mes tyre, por përfaqësoj një vend të vogël, kështu që nuk më takon mua të mendoj për të gjitha gjërat e mëdha. Për Shqipërinë nuk nënkupton asgjë, sepse asgjë nuk ndryshon. Shqiptarët janë komuniteti më pro-amerikan në Evropë, kështu që kushdo të jetë në Shtëpinë e Bardhë. Kështu që ne jemi shumë më pak të prekur nga këto lloj emocionesh, sepse për ne është e njëjta gjë.”

Pasditen e së enjtes, Kryeministri Rama dhe homologu hungarez Orban dolën në një konferencë për mediat pas punimeve të Komunitetit Politik ku prezantuan për çështjet që u diskutuan mes 50 liderëve në këtë takim.

Duke bërë të ditur se takimi i ardhshëm i Komunitetit Politik do të mbahet në Tiranë, Rama nënvizoi se Shqipëria është e vendosur të luftojë çdo ditë për anëtarësimin e saj në BE.

“Vladimir Putin e zgjoi fort Bashkimin Evropian, por më duhet të them, se në këtë forum, së bashku me atë që po ndodh edhe me Komisionin Evropian, planin e rri të rritjes, është diçka shumë inkurajuse. Jam tragjikisht optimist për të ardhmen, për të ardhmen e Shqipërisë vendi i së cilës është në Europë. Jemi në bisedimet për anëtarësim dhe shpresojmë që do jemi gati të anëtarësohemi brenda kësaj dekade.”

Ndërsa Orban bëri thirrje që Europa t’i japë zgjidhje konfliktit në Ukrainë për gjetjen e një zgjidhjeje paqeje, si dhe paraqiti nevojën për zgjidhjen e çështjes së emigraconit të paligjshëm.

“Europa duhet të marrë më tepër përgjegjësi për të garantuar paqen e saj dhe sigurinë e saj. Për ta thënë më drejtpërdrejt; nuk mund të presim amerikanët të na mbrojnë.”

Orban theksoi se pas zgjedhjes së Tramp si President i SHBA-ve, shumë shtete po kërkojnë që të arrihet paqja në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, duke propozuar si opsion një armëpushim dhe më pas nisjen e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjeve.

Tv Klan