Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë të Enjte në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Budapest të Hungarisë. Ai është pritur nga homologu i tij Viktor Orban dhe ka takuar një sërë liderësh të tjerë në nisje të samitit. Në një prononcim për mediat, Rama komentoi zgjedhjen e Donald Trump si president në Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, nuk duhen bërë histerizma, por duhet parë si një mundësi e madhe për botën.

“Mënyra si e shoh unë është se është bërë shumë zhurmë, ndoshta jo në mënyrën e duhur për rikthimin e tij. Përvoja më thotë se kur ishte President dhe NATO thoshin do bëhej më e dobët, në fakt NATO u bë më e fortë. Le të mos bëhemi histerikë.”

I pyetur se a ka biseduar me Zelenskyn lidhur me këtë, Rama tha:

“Ia kam thënë, mendoj se nuk ka diçka për t’u shqetësuar, por për të reflektuar, për një Evropë më të fortë. Nuk mendoj se ajo që ka ndodhur në SHBA duhet ta shohim si shqetësuese, mund të jetë mundësi e madhe për t’u bërë gjërat ndryshe.”

Sigurisht nuk mungoi një batutë prej tij.

“Jam më i gjati mes tyre, por përfaqësoj një vend të vogël, nuk më takon mua të flas për gjëra kaq të mëdha si ajo që po ndodh në SHBA apo Gjermani.”

Rizgjedhja e Trump në Shtëpinë  e Bardhë, sipas kreut të qeverisë nuk përbën asnjë ndryshim në raport me Shqipërinë.

“Për Shqipërinë asgjë nuk ndryshon, jemi komuniteti më pro-amerikan në Europë. Jemi shumë më pak të prekur nga këto lloj emocionesh, për ne është e njëjta gjë. Besoj se ajo që është thënë e diskutuar intensivisht para zgjedhjeve europiane shkoi shumë larg, ndërkohë kjo mund të shërbejë për ta parë botën paksa më ndryshe. Europa po bëhet më e vjetër, ka nevojë për më shumë energji. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të forta se çdokush që futet në Shtëpinë e Bardhë.”

Ashtu si në çdo takim të këtij niveli, edhe sot politikanët e Evropës realizuan foton familjare në kryeqytetin hungarez.


/tvklan.al