Pas takimit të Komunitetit Politik Europian në Budapest, Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp së bashku me homologun e tij hungarez, Viktor Orban.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh optimist për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku tha se synojmë të anëtarësohemi brenda kësaj dekade.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Unë jam tragjikisht optimist për të ardhmen e Shqipërisë, vendi i së cilës është në Europë dhe do të luftojmë çdo ditë. Na është hapur një rrugë e re falë Presidencës Hungareze, shpresojmë se do të jemi gati të anëtarësohemi brenda kësaj dekade me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Të pasurit e një BE-je me 2 kufij është e bëshme. Ballkani Perëndimor duhet të jetë i përbashkuar në mënyrë që të ruhemi dhe ta ruajmë sidomos nga ndërhyrjet dhe po kështu për të mos vazhduar me këtë eksperiment të një stomaku që nuk funksionon si duhet brenda një organizimi.

Rama shtoi se në këtë forum, ashtu si edhe me atë që po ndodh në Komisionin Evropian ka mjaft ide inkurajuese për Europën e së ardhmes.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Ky forum ka një energji të veçantë dhe ka një gjë të veçantë ndryshe nga forumet e tjera, ky është një vend ku ka një shkëmbim më të lirë opinionesh, ka një ndjenjë shumë të prekshme lirie për të cekur dhe tema të rrezikshme. Na duhet të punojmë së bashku me këtë ekip për të propozuar një strukturë tjetër homologe të mendimit strategjik që të jetë njëlloj sekretariati pas forumit për ta bërë dhe punën më të lidhur mes forumeve.

Ndërsa Viktor Orban u tregua i qartë dhe i drejtpërdrejtë kur tha se duhet paqe në Europë dhe se për këtë nuk mund të presin gjithmonë ndihmën e SHBA-ve.

Viktor Orban, Kryeministër i Hungarisë: Ramë dakord që duam paqe sa më shpejt të jetë e mundur në Europë. U ra dakord për faktin që Europa duhet të marrë më tepër përgjegjësi për të garantuar sigurinë e saj. Nuk mund të presim amerikanët të na mbrojnë.

Krahas samitit, Kryeministri Rama më herët zhvilloi takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku nuk mungoi një përqafim tejet miqësor. Gjithashtu Kryeministri Rama ka shpërndarë një foto me kryeministrin e Greqisë, Mitsotakis dhe Presidentin e Turqisë, Erdogan, takim ku duken tepër të qeshur.

Në Samitin e Budapestit morën pjesë rreth 50 liderë, ku veç atyre evropianë ishin edhe presidenti ukrainas Zelensky dhe ai turk Erdogan.

Klan News