Lajme Arkiva 2003

Një ditë pasi sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Gramoz Ruçi deklaroi se letra e zëvendës kryeministrit Ilir Meta drejtuar kryeministrit Fatos Nano do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të kryesisë, socialistët i druhen rishfaqjes së një krize brenda partisë. Megjithatë anëtarë të tjerë brenda PS-së si Fatmir Xhafa shprehen pro mendimit ndryshe brenda partisë.

Fatmir Xhafa: Mendoj se nuk ka arsye që një letër apo shfaqja e një opinioni të një anëtari të kryesisë apo të disa anëtarëve të kryesisë apo të disa anëtarëve të grupit parlamentarë që konsistojnë në mendimet ndryshe të shkaktojnë përçarje dhe probleme të brendshme të PS-së. Natyrisht unë e konsideroj një standard në demokracinë e brendshme të Partisë socialiste mendimin ndryshe dhe për sa kohë ky standard do të ruhet dhe do të përsoset më tej, Partisë Socialiste do ti bëhet vetëm mirë.

Po nëse përplasjet brenda PS do të shkojnë në një nivel akuzash të ndërsjella ashtu si dhe dy vite më parë në luftën për katarsis atëherë ato do të kenë ndikim negativ në zgjedhjet e ardhshme.

Fatmir Xhafa: Në analizën që i bëj unë nuk shpresoj se fakti që ka mendime ndryshme , fakti që ka opinione të ndryshme do të ndikoj negativisht në zgjedhjet e ardhshme elektorale për shkak sepse mendoj se një nga arsyet që voton elektorati i Partisë Socialiste është pikërisht edhe për faktin se ka mendim ndryshe.

Sekretari i marrëdhënieve me publikun në Partinë socialistë Bardhyl Agasi mendon se diskutimi i letrës së zëvendës kryeministrit Meta drejtuar kryeministrit Nano në mbledhjen e radhës së PS-së nuk tregon gjë tjetër veçse përmirësimin e punës në Parti.

Bardhyl Agasi: Nuk besoj kurrsesi se bëhet fjalë për prishje marrëdhëniesh, përkundrazi çdo gjë i shërben përmirësimit  të punës./tvklan.al