Pamje të tilla të rikthimit masiv të emigrantëve në vend janë bërë tashmë të shpeshta në pikat doganore dhe kryesisht për portet kryesore të vendit. Në raste festash apo periudhash pushimi, fluksi i ardhjes së tyre në Shqipëri i tejkalon parashikimet e autoriteteve kufitare.

Por udhëtimi në tragete kryesisht nga Italia dhe anasjelltas bëhet shumë herë jashtë normave të sigurisë dhe në kushte jo fort komode.

“Shumë rrëmujë, më trafik me  njerëz që ka pas shumë.”

“Nuk na ndahet neve shqiptarëve radha, gjithmonë ka probleme me tragetet.”

Fakt është se pak ditë më parë një anije udhëtarësh e nisur nga Shqipëria, u kap nga autoritetet portuale të Barit me 177 pasagjerë më tepër nga sa përcaktonte certifikata e sigurisë. Për këtë shkelje kapiteni i anijes u gjobit me 9 mijë euro. Një fakt i tillë është i njohur edhe nga autoritetet portuale shqiptare.

Muharrem Trupja: “Për tragetet që janë nisur në portet shqiptare neve kemi informacione që ata kanë bërë kontrolle dhe kanë rezultuar pozitive. Dhe janë gjetur raste kur do me thënë tragetet kanë marrë mbi kapacitet. Konform legjislacionit të tyre janë penalizuar.”

Por edhe pse faktet flasin për abuzime nga kompanitë e transportit detar të udhëtarëve, këta të fundit mohojnë marrjen e pasagjerëve mbi normat e lejuara dhe shkeljen e rregullave të sigurisë.

Rezart Kthupi: “Kompania nuk lejon që të merren pasagjerë mbi kapacitetin e tragetit. Kapaciteti i tragetit përcaktohet nga cilësia e sigurisë që të jep pasagjeri. Në qoftë se një traget ka numrin maksimal të pasagjerëve 500 vetë është sepse mund të garantojë sigurinë e 500 vetë në rastin e …. kështu çdo kapërcim i këtij numri do ishte një cenim i sigurisë së këtyre pasagjerëve.”

Për të shmangur këtë abuzim autoritet portuale kërkojnë instalimin e një sistemi elektronik që do të regjistronte në mënyrë të detajuar kontrollin dhe numrin e udhëtarëve.

Muharrem Trupja: “Përvoja e porteve të tjera, kapitanerive të tjera janë disa aparate që masin numrin e pasagjerëve që dalin nga bordi. Pa patur nevojë që të behët një koordinim i numrit që është numëruar në mënyrë mekanike me numrin e njerëzve që janë regjistruar në kompjuterin e policisë.”

Rritja e numrit të udhëtarëve në linjat detare kryesisht me Italinë ka bërë që numri i trageteve që lundrojnë drejt shtetit fqinj dhe anasjelltas të rritet ndjeshëm vitet e fundit, duke bartur me vete edhe rrezikun e jetës së pasagjerëve për shkak të moszbatimit të kushteve të sigurisë./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi