Ndërtimi i portit të peshkimit në qytetin e Durrësit nuk do të mbetet më peng i bashkisë e cila e kundërshton këtë projekt prej disa kohësh.

Kështu deklaroi në një konferencë për shtyp këshilltari i Ministrit të Mjedisit, Aleksandër Garuli, i cili ka shpjeguar se historia për ndërtimin e këtij porti e ka zanafillën që në vitin 2002, kohë kur edhe bashkia e ka miratuar këtë projekt.

Aleksandër Garuli: “Historiku disa vjeçar i infrastrukturës institucionale, për ndërtimin e portit të peshkimit në Durrës fillon pra me qeverisjen e PS dhe vazhdon me një konsensus të lavdërueshëm nga qeveria aktuale. Bashkia e Durrësit është shprehur në mënyrë institucionale pro ndërtimit të portit  të peshkimit në kalatën zero dhe ky qëndrim institucional nuk mund të ndryshojë sa herë ndryshon qëndrimi politik i kryetarit të bashkisë.”

Duke sqaruar se ndërtimi i këtij porti do të bëhet jashtë vijës së juridiksionit të bashkisë, Garuli u shpreh se leja për të do merret së shpejti.

Aleksandër Garuli: “Do dekrohet një mbushje e sipërfaqes së detit prej rreth 10 Ha dhe  porti i peshkimit do të ndërtohet aty. Si rrjedhojë nuk është në juridiksionin e bashkisë sepse vija e verdhë e bashkisë fillon nga bregu i ujit dhe zona tokësore e saj. Që do të thotë që do të fillojë puna, që do merret leja dhe do të fillojë puna. Leja do merret ashtu siç e përcakton ligji, për sa kohë kjo nuk është në vijën e verdhë të bashkisë merret nga këshilli i qarkut nga KRRTSH-ja. Vitin që vjen shpreh bindje se do të ketë filluar ndërtimi i portit.”

Kundërshtimi i kryetarit të bashkisë së Durrësit për ndërtimin e portit në kalatën zero është quajtur qëndrim politik dhe nga vetë peshkatarët.

Peshkatari 1: “Si nuk është e domosdoshme, vejmë Greqi, Itali dhe nuk kemi anije, këtu janë, hyp të kjo anija të bije zjarr do digjen.”

Peshkatari 2: “Kjo është gjithë farsë politike.”

Peshkatari 3: “Janë gati 150 anije nuk kanë vend ku lidhen, në port nuk i lejn.”

Peshkatari 4: “Kjo është për interesa politike, copë muhabeti.”

Ndërtimi i portit të parë të peshkimit do të bëhet me kredinë  prej 15 milion dollarësh të marrë nga banka islamike.

Ky port shihet si një element shtesë në shërbimet turistike, restoranteve, hotelerisë dhe tregtimit të prodhimeve të detit./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami