Ekonomia shqiptare ka reflektuar qëndrueshmëri pavarësisht krizës globale. Për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, viti 2009 ka testuar parametrat makroekonomik të vendit, dhe rezultati ka qenë përballimi me sukses teksa gjatë 9 muajve të parë të vitit është regjistruar rritje pozitive ekonomike.

Ardian Fullani: “Gjendja e mirë fillestare e ekonomisë sonë si dhe reagimi i shpejtë dhe i duhur i politikave makroekonomike ndihmuan në përballimin me sukses të kësaj situate. Ekonomia shqiptare ka siguruar një rritje ekonomike pozitive gjatë tre 3 mujorëve të parë të vitit, duke ruajtur stabilitetin financiar dhe treguesit kryesor të stabilitetit makroekonomik, qëndrueshmërinë e çmimeve, nivelin e borxhit publik dhe qëndrueshmërinë e bilancit të pagesave.”

Guvernatori Fullani ka komentuar edhe në lidhje me përmbytjet në veri të vendit. Duke thënë se ato mund të shkaktojnë presione në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore gjatë muajve në vijim. Megjithatë inflacioni do të jetë i moderuar dhe nën kontroll ka theksuar ai.

Ardian Fullani: “Pritet të ushtrojnë presione inflacioniste edhe gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2009, duke u plotësuar ndoshta edhe nga reduktimi i pritshëm i ofertës së produkteve bujqësore si pasojë e përmbytjeve që sapo kaluan.”

Kontigjencat do të përballojnë me sukses faturën financiare të përmbytjeve pa krijuar ndërlikime në buxhet vijoi guvernatori. Deklaratat u bënë pas mbledhjes se Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ku u vendos për mbajtjen të pa ndryshuar të normës bazë të interesit për lekun. Hera e fundit kur kjo normë u ul ishte tetori i vitit të kaluar, me qëllim rritjen e kreditimit në ekonomi.

Por Fullani vëren se ende bankat tregtare në vend janë të kufizuara ne përcjelljen e kësaj politike monetare tek normat e interesit për kredinë e cila vazhdon të tkurret, më së shumti nga rënia e kërkesës./tvklan.al

Gazetar: Fjorlad Zguro