Kreu shtetëror belg është kyçur në aktivitetet për parandalimin e fluksit të emigrantëve shqiptarë nga Maqedonia drejt Belgjikës, që ka ndodhur pas liberalizimit të regjimit të vizave.

Kryeministri Yves Leterme, bashkë me ministrin për azil, Melkior Vatle, kanë udhëtuar në Shkup për të bindur qytetarët e Maqedonisë se nuk mund të fitojnë të drejtën e azilit në Belgjikë.

Yves Leterme: “Gjasat që aplikantët të fitojnë të drejtën e azilit në bazë të arsyeve ekonomike janë absolutisht joreale, andaj ata edhe do të kthehen në vendin e tyre.”

Ministri për azil, Vatle, personalisht ka vizituar komunën e Likovës. Si rajon prej kohëve është shënuar numri më i madh i azilkërkuesve.

Ai ka porositur se vetëm investimet mund të zgjidhin problemet e qytetarëve të këtij rajoni e jo azili.

Kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku, akuzoi qeverinë se është fajtore për fluksin e azilkërkuesve, sepse nuk ka bërë asnjë investim për përmirësimin e gjendjes në këtë rajon të përfshirë në luftën e vitit 2001.

Sadulla Duraku: “Njoftuam se qeveritë në Republikën e Maqedonisë, asnjë qeveri nuk investon në këtë komunë”.

Mijëra familje shqiptare, kryesisht nga Kumanova dhe Likova, kanë vërshuar Belgjikën pas liberalizimit të vizave, me shpresë se do të fitojnë të drejtën e azilit.

Mirëpo një pjesë e tyre veç më kanë filluar të kthehet në vendlindje pasi prej autoriteteve belge kanë marrë përgjigje negative. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Salihu./tvklan.al