Fondi Monetar Ndërkombëtar korrigjon parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2009 duke e dyfishuar nivelin e rritjes.

Përfaqësuesi i FMN në Shqipëri, Gerwin Bell, duke vlerësuar qeverinë për përballimin e pasojave të krizës ekonomike globale, deklaroi se pavarësisht një viti të vështire, Shqipëria mundi t’ia dale me sukses duke regjistruar një rritje ekonomike pozitive, në rreth 2%.

Gerwin Bell: “Duke marrë në konsideratë aktivitetin e lartë ekonomik në gjysmën e parë të 2009 dhe një zbutje gjatë pjesës së dytë të vitit, parashikojmë që rritja ekonomike për vitin 2009 do të jetë rreth 2%, dhe 3 % për 2010-ën. Në një vit të një krize globale ekonomike Shqipëri ja ka dalë me sukses, pse ka ndodhur kjo? Politikat e shëndosha makroekonomike të ndërmarra këto vite kanë ndihmuar qeverinë në konsolidimin e fortë fiskal. Pjesën e mbetur të vitit presim që performanca ekonomike të jetë pak më e zbutur se gjysma e parë, pjesërisht se stimuli fiskal me të drejtë do të ulet, por e rëndësishme është që Shqipëri do të regjistroje rritje ekonomike si pak vende të Evropës”.

Ministri i Financave Bode është pajtuar me vlerësimin e FMN-së, por u është përgjigjur me një batutë luhatjeve të FMN-së në parashikimet për rritjen ekonomike të këtij viti.

Ridvan Bode: “Zoti Bellta tha, në fillim të vitit që do e keni rritjen nga 0-1%. Tani thotë që e keni 2% të garantuar. Çka do të thotë, programimi me 3% i vitit që vjen na jep shpresë që të jemi te 6% në ekzekutim”.

Përfaqësuesi i FMN-së vlerësoi stimujt fiskale që qeveria injektoi në ekonominë vendase çka mundësuan një performancë pozitive, sidomos investimet publike që këtë vit shkuan në nivelin e 10% të prodhimit të brendshme bruto.

Ridvan Bode: “Në këtë vit ne përdorëm të gjithë stimujt fiskal të mundshëm. Por kryesisht u bazuam në investimet publike. Po nga ana tjetër nuk ndaluam as rritjen e pagave, as pensioneve dhe aq më pak ti ulnim ato siç bënë disa vende të tjera periferike me ne. Ne mundëm që përmes politikave tona të lehtësojmë po ashtu sistemin bankar, përmes një kredie prej 200 milion eurosh që morëm në tregun ndërkombëtar. Në aspektet fiskale mund të konfirmoj që ka një ngadalësim të ritmit të rritjes së të ardhurave në buxhet, por Shqipëria vijon të mbetet në terma pozitive krahasuar me vitin 2008 çka do të thotë me rritjet e të ardhurave rreth 8%”.

Deklaratat u bënë gjatë një konferencë të përbashkët të FMN-së, Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë në lidhje me fillimin e diskutimeve për buxhetin e vitit 2010.

Ardian Fullani: “Gjatë kësaj periudhe në saj të masave të marra nga BSH, u sigurua vazhdimësia e operacioneve të sistemit bankar. Por njëkohësisht duke bërë ballë me sukses goditjet e ardhura nga ekonomia, sidomos e vendeve partnere kryesore të Shqipërisë”.

Përfaqësuesi i FMN kërkoi që buxheti për vitin 2010 të mund të materializoje nivelet e kërkuara të parametrave makroekonomike, si uljen e deficitit dhe të borxhit publik.

Buxheti i vitit të ardhshëm sipas ministrit Bode rezervon mbajtjen e fondeve të kontigjencës në nivelin 2% të produktit të brendshëm, një fond rezerve për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë, po ashtu ministri garantoi uljen e deficitit buxhetor duke synuar nivelin 3% nga 6.5 të këtij viti.

Bode shtoi se FMN do të vijojë të asistoje ekonominë shqiptare, nëpërmjet një tjetër marrëveshje me qeverinë që pritet të finalizohet 3 mujorin e parë të 2010./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro