Fondi Monetar Ndërkombëtar shpreh nota mjaft pozitive për ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit të kaluar, kohë kur një krizë e thellë pllakosi në mbarë ekonominë botërore.

Në përfundim të një vizite të dy javore në vendin tonë, shefi i FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell, u shpreh i befasuar se si ekonomia shqiptare i rezistoi krizës botërore.

Ai veçoi sinjalet pozitive që mbërrijnë në muajt e fundit siç është rritja e eksporteve apo remitancave.

FMN vlerëson rritjen ekonomike prej 3% gjatë 2009-tës, ndërkohë që parashikon se trajektorja e zhvillimit do të jetë në rritje duke ndjekur formën V.

Gerwin Bell: “Është impresionuese që ekonomia shqiptare e përballoi mjaft mirë krizën ekonomike botërore. Ne vlerësojmë se ekonomia shqiptare është rritur me 3% në 2009, nivel mjaft i lartë po të krahasohet me vendet e tjera në Evropë. Besimi në sektorin financiar është rikthyer nga rritjet e depozitave. Presionet inflacioniste po mbahen të ankuara mirë, ndërkohë që po shohim shenja të rritjes së eksporteve dhe të dërgesave të emigrantëve. Projeksioni ynë është për një rimarrje të ekonomisë në formën V. Gjatë 2009-tës kemi pasur një rënie dhe pritet rritje gjatë dymijë e dhjetës, ku parashikohet një nivel 2, deri në 2.5%,  në afatmesëm 2011 deri në 2015 Shqipëria do të rikthehet rritjes ekonomike me potencialin e vet.”

Edhe guvernatori Fullani është i mendimit se Shqipëria e kaloi me sukses testin e krizës botërore.

Ardian Fullani: “Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje ekonomike pozitive gjatë vitit të shkuar, duke arritur të përballojë me sukses goditjet direkte, të shkaktuar në mënyrë indirekte nga kriza ekonomike botërore. Për më tepër, ekonomia shqiptare e kaloi këtë test duke ruajtur ekuilibrat e brendshëm ekonomik dhe financiar”.

Shefi i FMN-së për Shqipërinë i kërkoi i qeverisë që të ulë deficitin buxhetor në 3%, niveli që do të garantonte qëndrueshmëri makroekonomike.

Gerwin Bell: “Mendojmë se është koha për një kthesë në buxhet, për ta ulur deficitin buxhetor me 3% të Produktit të Brendshëm Bruto këtë vit nga 7% që ishte vitin e kaluar. Do të jetë një hap për të mbajtur borxhin publik në nivelin 50% brenda këtij mandati”.

Gjatë konferencës së përbashkët mes FMN-së, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, ministri Bode konfirmoi vullnetin e qeverisë për uljen e deficitit buxhetor.

Ridvan Bode: “Sa është deficiti i Shqipërisë për vitin 2009? Një debat e një diskutim që të gjithë kanë qejf ta thonë shtatë, por është në fakt 2.5% është nga privatizimet dhe 4.5% është nga huamarrja e re. Viti 2009, si viti i krizës, ka një deficit më të ulët ndaj vitit 2008 dhe ka deficitin më të ulët historik nga 2000 deri në vitin 2004.”

Aktualisht FMN është në rolin e këshilluesit për vendin tonë sipas të ashtuquajturit “Artikulli katër i bashkëpunimit”./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro