Fondi Monetar Ndërkombëtarë vlerëson qeverinë shqiptare për masat e marra në drejtim të rritjes ekonomike dhe të stabilitetit financiar. Zëvendësdrejtori i FMN-së zoti Murilo Portugal, thotë se autoritet shqiptare duhet të përgëzohen për performancën shumë të mirë gjatë programit të mbështetur nga FMN. Zbatimi i politikave të mira ekonomike dhe progresi në reforma strukturore, kanë bërë të mundur që Shqipëria të ruaj rritje të larta ekonomike dhe të mbajë një nivel të ulët inflacioni.
Deklarata u bë gjatë mbledhjes së djeshme të bordit ekzekutiv të FMN-së, ku u miratua raporti për rishikimin e 6 dhe të fundit të marrëveshjes për rritjen ekonomike dhe zbutjen e varfërisë në vendin tonë. Gjithashtu u miratua dhe fondi prej 3.6 milion dollarësh.
Rishikimi i 6 i marrëveshjes përfundojë në dhjetor të vitit të kaluar, fazë e cila e gradon Shqipërinë nga një vend me të ardhura të ulëta në një stad të ri të vendeve me të ardhura mesatare. Në kuadër dhe të krizës globale FMN kërkon konsolidimin e mëtejshëm fiskal si një mjet të rëndësishëm për forcimin e ekonomisë shqiptare.
Kontrolli i shpenzimeve, shtyrja e planifikuar e uljes së kontributeve shoqërore, rritja e tarifave të energjisë elektrike drejt kostos do të ndihmojnë në arritjen e parametrave të duhura fiskale thotë FMN. Fondi mendon se për periudhën afatmesme, reformat e mëtejshme fiskale do të mundësonin ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, pavarësisht rritjes së shpenzimeve./tvklan.al
Gazetari: Fjodor Zguro
Montazh: Ergis Hasanbelli