Realizimi i treguesve buxhetorë flet për një vjelje të kënaqshme të të ardhurave, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për realizimin e shpenzimeve.
Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë, i financuar nga Soros, duke analizuar ecurinë e buxhetit për katër muajt e parë të vitit, evidenton disa nga rreziqet me të cilat mund të përballet stabiliteti makroekonomik.
Adriana Berberi: “Duke qenë se disa rreziqe fiskale mbeten, siç është ajo e kostos së lartë të rrugës Rrëshen-Kalimash, mungesa e vlerësimeve të sakta të vlerës totale të projektit, situata aspak e favorshme financiare e KESH-it, kostos suplementare për të përballuar situatën e post Gërdecit. Në këtë rast ne i rekomandojmë Ministrisë së Financave të mendojë seriozisht për të mbajtur fonde të mjaftueshme kontigjence”.
Ekspertë të këtij fondacioni shënjestruan Ministrinë e Arsimit, të Shëndetësisë dhe atë të Punëve Publike si më problematiket në drejtim të realizimit të investimeve.
Ndërkaq shqetësuese mbetet edhe shkalla e devijimit të investimeve në raport me planin.
Adriana Berberi: “Rialokimet e programit të investimeve që në katër mujorin e parë të vitit kryesisht drejtohet në favor të segmentit rrugor, Kalimash-Rrëshen, rialokimit të fondit në favor të segmentit rrugor, Durrës-Kukës, rikonfirmojnë gjetjen e raportit që ende nuk ka një vlerë të plotë të kësaj vepre dhe se vazhdohet të punohet mbi bazat e një planifikimi afatshkurtër”.
Gjatë këtij katër mujori në arkën e shtetit janë futur 2.7 miliard lekë më shumë se plani, ndërsa arkëtimet e pushtetit vendor vijojnë të jenë në nivele të ulëta./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro