Pas fitores në kampionat me Empolin në fundjavë, Milani do të rikthehet sërish në fushë këtë të martë, për sfidën ndaj Sassuolo-s në raundin e 1/8-ve në Kupën e Italisë.
Në prag të kësaj përballje, trajneri i kuqezinjve, Paulo Fonseca, vlerësoi kundërshtarin, duke thënë se kanë ekip të fortë dhe me lojtarë nga Serie A.
Sipas tij, Milani futet në fushë vetëm për fitore, për një trofe që nuk e ka marrë prej kohësh, ndërsa zbuloi edhe mungesat për këtë përballje.
“Milani nuk e ka fituar këtë trofe për një kohë të gjatë. Duhet të jemi ambiciozë. Megjithatë, le të mos shikojmë shumë përpara, le të mendojmë vetëm për të nesërmen. Nëse duam të shkojmë në finale, që duhet të jetë synimi ynë, duhet të fitojmë nesër.
Për mua Sassuolo nuk është një ekip i Serisë B, sepse ata kanë lojtarë nga Seria A. Nuk është vetëm Berardi. Mundën Leccen në ndeshjen e parë dhe janë një ekip i fortë. I kam studiuar. I kam thënë ekipit se na pret një ndeshje e vështirë.
Maignan nuk do të jetë për shkak të një operacioni dentar. Do të mungojë edhe Theo Hernandez, për shkak të një problemi në këmbë. Të tjerët janë të gjithë gati për të luajtur. Do të hedh në fushë një ekip për të fituar.
Nëse nuk e menaxhojmë mirë ekipin dhe lojtarët, mund të kemi probleme fizike dhe këtë nuk e duam. Kam besim te të gjithë lojtarët, do të ketë disa ndryshime, por gjithmonë me synimin për të fituar ndeshjen. Lojtarët kanë nevojë për mbështetjen e tifozëve. Është shumë e rëndësishme për ta”, deklaroi Fonseca.
Trajneri i Milanit, foli edhe për Eduardo Bove, futbollistin e Fiorentinës, që pësoi kolaps në fushë ndaj Interit.
“Po e shikoja ndeshjen Fiorentina-Inter dhe ishte një moment i vështirë. Bove ka qenë me mua gjatë kohës që drejtoja Romën. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Për fat të mirë tani është në gjendje të mirë. Për momentin shëndeti është më i rëndësishëm se futbolli. Megjithatë ato momente ishin shumë të vështira”, përfundoi trajneri Paulo Fonseca.
Ndeshja Milan-Sassuolo, do të luhet këtë të martë, duke nisur nga ora 21:00, në stadiumin “San Siro”. /tvklan.al