Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë në orën 19 të mbrëmjes së sotme miqësoren e dytë kundër Azerbajxhanit në stadiumin “Haladas” të Hungarisë.
Ky do të jetë testi i fundit për Sylvinho, për të provuar futbollistët e tij, përpara se të përqendrohen plotësisht në euro 2024.
Tekniku kuqezi ka vendosur sërish që të luajë me skemën 4-2-1-3. Në portë ka një ndryshim, pasi në vend të Berishës do ta nisë titullar Strakosha.
Në mbrojtje nga e majta në të djathtë, Mitaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Hysaj. Në mesfushë do të luajnë titullarë Ramadani dhe Asllani me Bajramin më të avancuar në qendër.
Ndërkohë në sulm do të aktivizohen Seferi, Broja dhe Asani.
Të shtunën kombëtarja do të niset drejt Gjermanisë ku do të jetë e fokusuar për kampionatin europian, ndërsa sfida e parë do të luhet në Dortmund kundër Italisë më 15 qershor.
Sfida miqësore si edhe të gjitha ndeshjet e eventit do të transmetohen ekskluzivisht në televizionin Klan.
Klan News