Forumi ekonomik i “Crans Montanës” ka çelur punimet e veta në Tiranë. Thithja e investimeve është qëllimi kryesor që ka sjellë së bashku gati 250 sipërmarrës vendas e të huaj, për të tretën herë radhazi në kryeqytetin shqiptar.

Financa dhe sektori bankar ishin fushat, ku u përqendruan diskutimet gjatë seancës së parë të forumit. Ministri i Financave Ridvan Bode në fjalën e vet kërkoi që bankat shqiptare të forcojnë kujdesin dhe rreziqeve të mundshme që i kanosen vendit, rrjedhojë kjo e tronditjes globale që pësuan tregjet financiare.

Për ketë ministri Bode hodhi idenë e një bashkëpunimi më të ngushtë rajonal mes bankave. Më tej donatorët si banka botërore BERZH, si dhe FMN vlerësuan progresin ekonomiko-financiar që po njeh vendi ynë, duke i kërkuar qeverisë të vijojë në reformat e nisura.

Në seancën e dytë forumi u përqendrua tek investimet e huaja dhe veçanërisht në sektorin e energjisë. Ministri shqiptar i tregtisë dhe energjetikës Genc Ruli, vuri në dukje dyfishimin e investimeve të huaja që vitin e kaluar arritën në 463 milion euro.

Ministri Ruli paraqiti para pjesëmarrësve privatizime të mëdha publike si kompania e naftës ARMO, që brenda disa ditësh pritet të njohë edhe emrin e ri të investitorit. Si dhe kompania operator i shpërndarjes së energjisë, privatizimi i së cilës pritet të përfundojë brenda këtij viti.

Krahas sektorëve të financës dhe energjetikës, tregtia  dhe turizmi janë të tjera fusha ku do të fokusohen diskutimet e të pranishmëve në forum gjatë 3 ditëve në vijim./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro