Ky është 31-vjeçari Eraldo Nevruzi, i cili punonte si recepsionist në një hotel në Dhërmi dhe që prej orëve të para të kësaj të enjte rezulton i zhdukur.
Ai dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri dhe më pas të jetë marrë nga 43-vjeçari Gerald Shehu, i cili u vu në pranga në Greqi vetëm pak orë pasi tentoi të largohej.
Ngjarja ka ndodhur rreth 30 minuta pas mesnatës të kësaj të enjte në ambientet e hotelit, konkretisht në dhomën ku akomodohet stafi.
Ka dyshime se fillimisht mes tyre ka patur një përplasje verbale e që më pas ka degraduar deri në përdorimin e armës.
Pasi e ka qëlluar, dyshohet se autori, që është bashkëpronar i hotelit, e ka larguar 31-vjecarin me një automjet ngjyrë e bardhë me targa angleze.
Dyshohet se ai e ka fshehur trupin e tij dhe me pas është larguar në rrugë tokësore drejt Greqisë.
Ishin punonjësit e hotelit ata që kanë denoncuar rastin, çka vuri në lëvizje policinë e cila identifikoi autorin dhe e lokalizoi atë në Greqi, vend ku u vu në pranga teksa shkonte në aeroportin e Korfuzit.
Policia po kryen kontrolle për gjetjen e 31-vjeçarit, që ka dyshime të ketë vdekur.
Policia dhe prokuroria po analizojnë kamerat e sigurisë, ku ka lëvizur autori pas ngjarjes, përmes të cilave ka mundur të sekuestrojë në lagjen 4 në Sarandë makinën e tij tip “Audi”, por pa mundur të gjejë recepsionistin, Eraldo Nevruzi banues në Tiranë.
Gjithashtu për këtë ngjarje policia ka ndaluar edhe dy persona të tjerë të cilët dyshohet të jenë bashkëpunëtorë të 43-vjeçarit në këtë krim.
Deri në këtë fazë hetuesit po verifikojnë disa pista të mundshme për zbardhjen e ngjarjes.
Për dokumentimin e plotë policia njoftoi se janë pyetur 29 persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Vetë autori rezulton të jetë shtetas shqiptar po banues në Angli. Për vënien e tij përpara drejtësisë shqiptare, Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana kanë nisur komunikimet me palën greke.
Tv Klan