Ky që shihni në foto është Gerald Shehu. 43-vjeçari dyshohet se pak pas mesnatës së kësaj të enjteje qëlloi me armë 31-vjeçarin Eraldo Nevruzi. Ngjarja ndodhi në një hotel në Dhërmi, aty ku i riu nga Tirana punonte si recepsionist.

Gazetari Besar Bajraktaraj, i cili ka siguruar edhe foton në fjalë, sjell detaje të reja rreth ngjarjes e cila u raportua pak më herët e që për momentin është e mbuluar me mister.

Ky është 31-vjeçari Eraldo Nevruzi që u qëllua me armë dhe u zhduk në Dhërmi
Në foto Eraldo Nevruzi, 31-vjeçari që u qëllua me armë dhe u zhduk në Dhërmi

Kështu, sipas gazetarit, Shehu dhe Nevruzi kanë qenë miq me njëri-tjetrin. Ata mësohet se kishin jetuar në Angli dhe kohët e fundit ishin kthyer në vendlindje për të hapur biznes së bashku.

Por përse policia dyshon se 31-vjeçari Nevruzi është vrarë, në një kohë kur trupi i tij nuk është gjetur ende?

Policia e Shtetit ka dhënë informacion shtesë për ngjarjen e rëndë që dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës së kësaj të enjteje në Dhërmi. Kështu policia konfirmon se Gerald Shehu, 43-vjeç është largua nga vendi ynë drejt Greqisë ndaj dhe po punohet me autoritetet fqinje për kapjen e tij. 43-vjeçari, po sipas policisë, është bashkëpronar i hotelit ku dyshohet dhe se ndodhi krimi i rëndë.
Në foto autori i dyshuar Gerald Shehu

Paraprakisht, raportohet se ngjarja ka ndodhur në një prej dhomave të hotelit. Policia dyshon se bëhet fjalë për vrasje për shkak të dëshmive në vendin e ngjarjes që thonë se janë dëgjuar dy të shtëna.

Po ashtu gjurmët e gjakut në vendin e ngjarjes shtojnë edhe më shumë dyshimet se recepsionisti është ekzekutuar.

Autoritetet mësohet se kanë në dorë edhe pamjet filmike, por të paktën deri më tani nuk rezulton të jetë zbuluar mënyra sesi është larguar 31-vjeçari nga hoteli.

Në lidhje me ngjarjen, mësohet se janë marrë në pyetje të paktën 29 persona. Pas ngjarjes, 43-vjeçari Gerald Shehu u largua drejt Greqisë. Ai u ndalua nga autoritetet fqinje gjatë orëve të pasdites në aeroportin e Korfuzit, teksa po tentonte të largohej drejt Anglisë.

Ndërsa makina e tij u gjet në Sarandë.

Makina e autorit të dyshuar Gerald Shehu
Makina e autorit të dyshuar Gerald Shehu

Po sipas gazetarit Bajraktaraj, hoteli në fjalë mësohet se është në pronësi të një gruaje, G. Nino, ndërsa autori i dyshuar është dhëndri i saj dhe njëkohësisht bashkëpronar.

Motivet e kësaj ngjarjeje mbeten momentalisht mister. Dyshimet janë se ajo mund të ketë ardhur si pasojë e konflikteve që lidheshin me biznesin, pra hotelin ku ndodhi dhe ngjarja./tvklan.al