Policia e Korçës ka arrestuar ditën e djeshme një 37-vjeçar me emrin Elton Kollani, pasi gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur para, kompjutera, bizhuteri dhe ikona që rezultojnë të vjedhura.

Uniformat blu kanë mundur që të zbulojnë një sasi prej 1.400.000 lekë të reja, 7 ikona kishtare, të cilat dyshohet se janë vjedhur në Kishat e qytetit të Korçës, 3 kompjutera lojrash fati në gjendje të fikur, 1 orë dore, e larë në flori, e markës “Luzern” si edhe disa bizhuteri argjendi, si dhe 2 aparatë celularë.

Sipas policisë këto objekte, u gjetën të fshehura në banesën e shtetasit Elton Kollani dhe dyshohet se janë produkte të përfituara nga 5 vjedhje, ngjarje të ndodhura gjatë tre muajve të fundit, në qytetin e Korçës.

Nga ana e Policisë, po punohet për të dokumentuar nëse shtetasi i mësipërm rezulton apo jo autor i këtyre vjedhjeve, si edhe vënien përballë përgjegjësisë ligjore të bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm të tij, në këto vepra penale.

Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale”./tvklan.al